Nuk i hani qepët? Njihuni me vlerat e jashtëzakonshme shëndetësore të tyre

Disa e duan, disa e urrejnë. Disa e quajnë mbretëreshë të kuzhinës. Për të tjerë është një torturë. Pavarësisht këtyre përplasjeve, pothuajse të gjithë jemi të vetëdijshëm për përfitimet shëndetësore që ofron qepa. Për këtë bimë çudibërëse ka aq shumë informacione të cilat është e dobishme t’i dini.

Qepa (Allium cepa) është shumë e pasur në oligoelementë dhe vitamina. Ajo përmban enzima që stimulojnë tretjen, oligoelementë si : (sulfuri, potasiumi, magnezi, fluori, kalciumi dhe fosfori), vitamina (A,B,C,E) , flavonoidë që kanë veti diuretike, si dhe përmban një hormon vegjetal shumë të rëndësishëm që lufton diabetin, glukokininën.

Përfitimet shëndetësore që ofron qepa janë të shumëllojshme. Ajo shfaq veti diuretike, purifikuese dhe tonifikuese për aparatin tretës.

Normalizon florën intestinale dhe pengon rritjen e substancave toksike që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë (kanceri kolonorektal). Lëngu i qepës me pak mjaltë është një ilaç ideal kundër infeksioneve të rrugëve respiratore.

Ju mund të bëni gjithashtu gargarë me lëngun e qepës në rast se keni dhembje grykësh. Përdorimi i qepëve është shumë i përhapur edhe në industrinë e kozmetikës.

Qepa përmban sulfur. Ky i fundit nxit prodhimin e kolagjenit dhe stimulon rritjen e flokëve dhe pastron fytyrën nga aknet. Qepa njihet gjithashtu si një afrodiziak shumë aktiv.


Shtuar 8.01.2023 15:16