“Nuk e kisha menduar kurrë që…”- Ingrid Gjoni prek me fjalët për motrën e ndjerë: Ishe shembullore, të premtoj që do kujdesem përjetë për dritat e syve të tu

Këngëtarja e njohur Ingrid Gjoni ka reaguar për vdekjen e motrës së saj, Ilda, duke thënë se është publikimi më i vështirë që ka bërë në jetën e saj.

Ajo shkruan se Ilda ishte një motër e mrekullueshme, vajzë shembullore, bashkëshorte lumtur dhe mikeshë që kishte zemrën e hapur për të gjithë.

Ajo gjithashtu i ka premtuar se do të kujdeset për fëmijët e saj, aktoren Ana Lika, Vikin dhe Rodeos.

“Ky është publikimi më i vështirë që kam bërë në jetën time… do të shkruaja për ikjen e motrës sime, më të mirës prej nesh.

Ilda Gjoni, nuk ishte veç motra jonë e mrekullueshme, ajo ishte vajza shembullore, nëna më e përkushtuar e Anës, Vikit dhe Rodeos, bashkëshortja e lumtur e Mikenit, shoqja që kushdo do të donte, mikesha që e kishte zemrën hapur për të gjithë. Ishte buza e qeshur, për të njohur dhe të panjohur.

Ajo ishte tezja më fantastike, që u bë mami e dytë e Paridit. Unë nuk do mundem kurrë të shkruaj as 1% të asaj që meritonte Ilda. Besoj shumë që Zoti do ta shpërblejë me Parajsë për çdo gëzim që solli mes nesh në Tokë. Engjët dhe qielli janë shtëpia e saj sot dhe unë lutem për paqen e saj. Ilda, motra të do shumë gjithmonë dhe të premtoj që do kujdesem përjetë për dritat e syve të tu.

Faleminderit të gjithëve ju për dashurinë dhe kujdesin e treguar ndaj nesh. Zoti ua shpërbleftë me të mira!

Përcjellja e fundit dhe homazhet do të bëhen më 29 dhjetor nga shtëpia funerale “Parajsa”, ora 14:00, në Sharrë”, ka shkruar Ingriti.