Analisti Artur Zheji komentoi në emisionin “Pikat mbi i”, në Neës24, deklaratat e Sali Berishës ndaj Fatos Nanos, duke thënë se ato nuk e ndihmojnë kryedemokratin të fitojë besimin e shqiptarëve.
Kujtojmë që Berisha deklaroi se nuk e ka burgosur Fatos Nanon, kur ka ardhur në pushtet në vitin 2005, pasi sipas tij, ai ishte burgosur njëherë.
Lidhur me këtë, Zheji u shpreh se “Berisha është gati të flasë për ish-kryeministra apo për Ramën, por nuk flet për sistemin dhe oligarkët. Kjo është dilema më e madhe që Berisha duhet ta bëjë të qartë”.
Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Berisha e ka fushën të hapur plotësisht në krahun opozitar, nuk po i bëjnë asnjë lloj rezistence, nuk po e sfidojnë dhe as po i vënë në dyshim strategjinë që ai ka për të bërë opozitarizëm dhe për të çmontuar regjimin e Ramës. Doktori po lufton kundër pabesueshmërisë së vetë, teksa i është rikthyer raportit të tij me Fatos Nanon. Mos të harrojmë se më 1998, rast i bujshëm, ai donte të rikthehej në pushtet për të sulmuar Fatos Nanon dhe për të thënë që ai vrau Azem Hajdarin. Pastaj, u normalizua me Fatos Nanon, u përpoq të bënte presidentin konsensual, dhe më 2005 Doktori erdhi përsëri me flamurin e fuqishëm, duke menduar se do të bëhej batërdia dhe madje edhe vetë Nano do të rikthehej në burg. Por, çfarë ndodhi? Erdhi 2005, erdhi Berisha në pushtet dhe asgjë nuk ndodhi, përkundrazi përdori votat e Nanos për të mos shkuar vetë në zgjedhje të parakohshme, dhe më pas më 2008, bëri ato ndryshimet e menjëhershme kushtetuese. Tani, Berisha në disa dalje po thotë se nuk e futi Nanon në burg, sepse ai e bëri njëherë burgun, pra gjëra që nuk kanë lidhje. Pastaj, thotë që Nano ishte reformator. Sigurisht që ai ishte, por Berisha nuk e tha kurrë në atë kohë. Këtu unë shoh që Berisha është gati të flasë për ish-kryeministra apo për Ramën, por nuk flet për sistemin dhe oligarkët. Kjo është dilema më e madhe që Berisha duhet ta bëjë të qartë dhe të na bindë, për të filluar procesin e parakohshmërisë së zgjedhjeve të parakohshme.
Lubonja: Zheji deligjitimon Berishën, me elementë që absolutisht e bëjnë atë të pabesueshëm, por nëse do ta marrim për bazë logjikën e tij, lodhemi kot, sepse të gjithëve do iu gjejmë ndonjë gjë në të kaluarën. Edhe unë jam kundër oligarkisë dhe sistemit, por realisht është e pamundur që në kushtet ku jemi, të hapësh luftë me oligarkinë, me krimin e organizuar, me drejtësinë e të tjera që ka kapur Edi Rama dhe ta mundësh atë. Prandaj, politika kërkon tjetër rrugë. Se ku mund të dalë nuk e di, por duhet të përdorim argumentin e ideales për të deligjitimuar një copë të vogël opozitë që kemi. Unë kam shkruar pa fund për LSI, por tani shoh që del Kryemadhi dhe denoncon aferën e inceneratorëve. Sigurisht që e bëjnë për interesat e veta, por është më mirë që të ndodhë kjo, se ndryshe nuk rrëzohet regjimi./BW