Një qytetar ka denoncuar një pronar restoranti se i ka çarë me gozhdë gomën e makinës sepse nuk ka preferuar që ta konsumojë drekën në ambientin e tij. Përmes një postimi në Facebook, qytetari Fatmir Gjoni, teksa bashkëngjit dhe një foto, shkruan se ngjarja ka ndodhur në Orikum. Ai tregon se për të respektuar një mikun e tij nga Italia e kishte ftuar për drekë në një restorant të mirë peshku në Orikum. Kur ka shkuar atje, ka parkuar makinën, por dikush i është afruar dhe i ka kërkuar që ta largojë mjetin që aty sepse ishte parkim privat, kur në fakt nuk kishte asnjë tabelë apo shenjë dalluese.
Gjoni shton se pavarësisht debatit, e ka lënë makinën aty dhe ka shkuar të drekojë me mikun e tij, por kur është kthyer ka gjetur gomën e çarë. E gjitha kjo vetëm sepse personi që pretendonte se zotëronte parkimin kishte gjithashtu restorant dhe fakti që qytetari kishte lënë mjetin aty për të drekuar në një vend tjetër ishte e papranueshme për të. Policia është njoftuar për rastin në fjalë.