Në një intervistë për Radio Televizioni Serb, Petkoviç u shpreh se Serbia mbështet paqen dhe sigurinë në rajon, por sipas tij situata në Kosovë nuk është aspak e thjeshtë. Kjo deklaratë i referohet afrimit të afatit për riregjistrimin e automjeteve.

“Kryeministri Albin Kurti po përpiqet që të bëjë jetën e popullit serb në Kosovë të mjerueshme, të destabilizojë situatën dhe të bëjë presion mbi presidentin Vuçiç dhe Beogradin”, u shpreh Petkoviç.

Presidenti i Serbisë Alexander Vuçiç ka deklaruar se së fundmi ka pasur një bisedë me presidentin e Francës Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e BE për dialogun mes Prishtinës e Beogradit Miroslav Lajçak, si dhe ka bërë me dije se prej tyre ka marrë një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel.

Media serbe Danas raporton se Vuçiç u shpreh se propozimi duhet të çojë në zgjidhjen përfundimtare të problemit dhe të gjitha çështjeve të pazgjidhura që lidhen me Kosovën.