Kreu i “Nismës Thurrje”, Endrit Shabani ka reaguar për herë të parë pasi mandati i deputetit shkoi në familjen e ish-aleatit të tij në zgjedhjet e 11 Majit, Adriatik Lapajt.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Shabani ka “treguar të vërtetat e tij” dhe atë çfarë ka ndodhur mbrapa syve të mediave.
Ai ka bërë me dije se njeriu i tij i afërt dha dorëheqjen, pra sipas listës i bie të jetë partnerja e tij Livia Stavri dhe si rrjedhojë mandati i kaloi kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuveli e cila ishte pas saj në listë.
“Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet. Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat”, shkruan Shabani ndër të tjera.
Kleana Xhuveli mori sot mandatin e deputetes. 27-vjeçarja, me profesion juriste, u shpreh për mediat se qëllimi i saj nuk është të bëhet deputete por t’ia rikthejë mandatin Lapajt, njeriut që sipas saj e meriton. Gjithashtu ajo sqaroi dhe dilemën që po qarkullon lidhur me lidhjen familjare me kreun e “Shqipëria Bëhet”, duke bërë me dije se Lapaj është kushëriri i saj dhe jo vëllai ashtu si dhe është përfolur.
Postimi i plotë:
U mbars mali dhe…Njëmijë akuza.
Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!
Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.
Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.
Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!
Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.
Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.
Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.
Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.