Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duket se do të jetë pjesë aktive e fushatës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në qytetin e Durrësit.
Teksa ditën e djeshme është çelur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë e vendit, kandidatja e Partisë Socialiste në bashkinë e Durrësit, Emirjana Sako, duket se ka gjetur mbështetjen nga ish-kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Vangjush Dako.
Dako vijon të udhëheqë fushatën e Emirjana Sakos, ku ditën e sotme, ka zhvilluar një takim me strukturat e PS-së në Durrës.
Pavarësisht se është shpallur “non-grata” nga SHBA dhe akuzave të shumta nga opozita, ai vijon të zhvillojë takime me përfaqësuesit e socialistëve në Durrës.
Edhe disa ditë më parë, Vangjush Dako drejtonte një takim tjetër elektoral në njësinë administrative nr. 6 në Durrës.
Kujtojmë se Dako zgjodhi që të mos kandidonte për kryetar bashkie në zgjedhjet e 2019-ës, ku PS, thuajse nuk kishte asnjë parti tjetër politike përballë.
Kryemininistri Rama e justifikoi moskandidimin e Dakos si një zgjedhje personale të ish-kryebashkiakut.
Kujtojmë që përpos Dakos, “non grata” janë shpallur edhe Sali Berisha dhe Tom Doshi, ndërsa SHBA ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është prioritet i Uashingtonit./albeu.com/