Policia e Tiranës ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe ka arrestuar dy persona.
Blutë njoftojnë se në kudarë të operacionit policor “Last Sale” u vu në pranga një 21-vjeçar dhe nisi procedimi penal për 3 shtetas të mitur, pasi dyshohet se i morën me dhunë byzylykun e floririt, një shtetasi të mitur. Gjithashtu është proceduar penalisht një shtetase që bleu byzylykun e vjedhur.
Ndërsa në kuadër të operacionit policor “Last exchange”, u vu në pranga një shtetas që dyshohet se ka vjedhur sende në një banesë dhe ka blerë një aparat celular me vlerë 900 euro, me kartëmonedha euro të falsifikuara.
Gjatë operacionit policor të koduar “Last sale”, u arrestua në flagrancë shtetasi F. Ç., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi penal për 3 shtetas të mitur (17-vjeçarë), pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë me dhunë bylyzykun që mbante në dorë, një shtetasi të mitur.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal edhe për shtetasen A. Xh., 47 vjeçe, pasi i ka blerë këtyre shtetasve byzylykun e vjedhur, me qëllim për ta shitur atë në argjendarinë e saj.
Gjatë operacionit policor të koduar “Last exchange”, u arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 50 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka vjedhur 1 laptop dhe sende të ndryshme, në një banesë, në rrugën “Milo Duci”.
Gjithashtu, dyshohet se me anë të mashtrimit, i ka blerë një shtetasi, një aparat celular me vlerë 900 euro, duke përdorur kartëmonedha të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/