Njerëz të traumatizuar, shkatërrim gjithandej, pamjet e kaosit të shkaktuar nga autobusi i Unazës në kryeqytet

Aksidenti i shumëfishtë që shkaktoi urbani i Unazës sot në afërsi të Urës së Tajvanit në Tiranë shkaktoi panik të pasagjerët dhe qytetarët e pranishëm në vendin e aksidentit.

Të tronditur nga aksidenti i shumëfishtë, disa qytetarë janë ulur në cep të rrugës për tu qetësuar.

Të traumatizuar ata shohin përmasat e përplasjes së autobusit me makinat, ndërsa shpreheh të frikësuar nga ajo që ndodhi.

Sipas informacioneve të deritanishme mendohet se në aksident janë përfshirë të paktën 9 makina.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit zinxhir që ka krijuar trafik të rënduar dhe ka trembur dëshmitarët në vendngjarje, por paraprakisht dyshohet se shoferi i urbanit ka humbur kontrollin e mjetit.

Por, ky nuk është rasti i parë i aksidenteve të rënda me këtë linjë autobusësh të kompanisë “Green Line” në pronësi të CFO Pharma të biznesmenit Nadir Çausholli.

Vitin e kaluar, një autobus nga e njëjta kompani ra në lanë duke plagosur disa pasagjerë. Ngjarja ndodhi në të njëjtin aks, madje vetëm pak metra larg aksidentit të sotëm.

“Green Line” mori linjën e Unazës një vit më parë duke pretenduar se kishte futur autobusë “green”, të cilët në fakt punojnë me naftë si edhe autobusët e tjerë, ç’ka tregon se përveç se nuk ka asgjë “green”, rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve.

/albeu.com/