Një vit nga tragjedia në spitalin modular Tetovë! Ende askush nuk mban përgjegjësi

Ndërsa Maqedonia po festonte jubileun e 30 të pavarësisë së vendit, në spitalin modular në Tetovë ku po trajtoheshin pacientët me Covid-19, shpërtheu një zjarr që do të shkaktonte tragjedinë më të madhe që kishte parë Maqedonia në 30 vjet shtet.

Spitalit modular kishte filluar t’i dalë tymi, ndërsa në pamjet që qarkullonin nëpër rrjetet sociale,  shihej se si familjarë të pacientëve po mundoheshin t’i shpëtonin nga zjarri të afërmit e tyre.

Flakët përhapeshin me shpejtësi të madhe dhe rreth orës 21 shpërtheu zjarri i madh.

Zjarrfikësit arritën ta shuajnë për një kohë të shkurtër, megjithatë tashmë kishin humbur jetën 14 pacientë, ndërsa 12 të tjerë ishin lënduar.

Derisa ngjarja po qarkullonte gjithkund nëpër rrjetet sociale, krerët e shtetit nga festa u nisën për Tetovë.  Në objektin e Komunës së Tetovës mbajtën mbledhje emergjente, por para mediave askush nuk foli, përveç një mjeku i cili foli për gjendjen e pacientëve të shpëtuar.

“Në fillim gjendja e tyre ishte shumë e rëndë por me intervenimin me intervenimin e ekipeve mjekësore gjendja e tyre është stabile për momentin”, tha Nexhmedin Abazi, mjek.

Trupat e djegur ishin dërguar për autopsi, ndërsa prokuroria po hetonte vendngjarjen. Në fillim askush nuk mbante përgjegjësi për zjarrin, as ministri i Shëndetësisë, as zëvendësi i tij e as drejtorët e spitalit në Tetovë.

Në vend u shpallën 3 ditë zie, ndërsa për të hetuar rastin Qeveria kishte kërkuar ndihmë nga ekspertë gjerman.

Rreth dy ditë më vonë, ministri Venko Filipçe dha dorëheqje, veprim të njëjtë bëri edhe zëvendësi i tij Ilir Hasani, pas çka u pasua edhe nga drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi.

“Tragjedia e fundit në Tetovë më ka prekur shumë, më vjen shumë keq për viktimat, bashkë ndjej me familjet e tyre dhe nuk ka fjalë që mund ta përshkruaj dhimbjen e as mënyrë se si të kompensohet humbja. Të nderuar, si mjek dhe si ministër kam integritet dhe prandaj sot për arsye morale dorëzova dorëheqje deri të kryeministri Zoran Zaev”, pohonte Venko Filipçe, ish-ministër i Shëndetësisë 10.09.2022.

Hetimi mbi zjarrin zgjati rreth 1 vit. Prokuroria konstatoi se zjarri në spitalin modula ka ndodhur si pasojë e djegies së kabllos vazhduese, në të cilin është vendosur një aparat defibrilator-reanimues, një karrikues celulari dhe një tjetër pajisje tjetër. U ngrit akuzë kundër dy drejtorëve e spitalit Florin Besimi dhe Artan Etemi, kundër përgjegjësit të spitalit modular Boban Vuçevski dhe kundër Spitali i Qytetit të Tetovës. Akuzohen për veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mos veprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.


Shtuar 8.09.2022 21:22