Nga Lutfi Dervishi
Shkrimi i një artikulli hulumtues është një punë fort e vështirë, sepse një hap e ndan hulumtimin nga spekullimi. Gazetaria e keqe shkon me këmbët e veta në dyert e gjykatës.
Nga ideja tek faktet dhe kontrolli i tyre është një punë e mundimshme. Kur i lë faktet të flasin vetë, nuk ka më vend për mendime, opinione, komente, analiza, thashetheme, spekullime dhe aq më pak për shpifje e fyerje.
Një artikull me ide të qartë, mbështetur me informacione, argumenta, fakte, të dhëna, prova, çon në gjetje interesante që janë në interes të publikut.
Fjalorth për një hulumtim
Ide– një mendim apo sugjerim për një veprim/aksion/punë. (Kam një ide të mirë për të hulumtuar rreth djegësave: Në Parlament është ngritur një komision hetimor për të hetuar çështjen e Djegësave, ndërkohë SPAK ka arrestuar ishi ministrin e Mjedisit dhe ka marrë në pyetje një deputet dhe një kryetarë bashkie!
Tezë: një pohim që parashtrohet si një premisë që mund të provohet përmes hulumtimit. (Djegësat kanë ngrohur disa xhepa, kanë djegur buxhetin dhe kanë avulluar shpresat për një vend të pastër)
Argument- arsye apo grup arsyesh që mbështesin një ide, veprim apo teori! (Djegësat në tre qytete nuk kanë respektuar kontratat)
Fakt- një gjë që njihet ose provohet që është e vërtetë! (Pronarët e djegësva janë në kërkim nga prokuroria)
Informacion- të dhëna që mësohen për diçka apo dikë. (Raportet e medias dhe Raporti i KLSH konstaton shkelje të shumta ligjore. Në SPAK janë dorëzuar padi edhe nga përfaqësues të politikës)
Të dhëna: fakte dhe shifra të mbledhura që i shërbejnë analizave dhe referencave të ndryshme. (bashkitë kanë vijuar pagesat për djegësat; djegësat kanë paguar disa media; pagesa të paarsyetura për individë të lidhur me politikën etj)
Prova: tërësia e disponueshme e fakteve ose informacioneve që tregojnë nëse propozimi yt është i vërtetë dhe i vërtetueshëm. (Hetimet, arrestimet, marrjet në pyetje, shpalljet në kërkim, provojnë që “djegësat” janë më së paku një aferë korruptive)
E vërteta: – fakt që provohet si i vërtetë! (Dy prej djegësave ekzistojnë vetëm në letër)
Gjetje- informacione të zbuluara si rezultat i hetimit! (Ata që fituan kontrata për djegësat nuk paguan asnjë qindarkë nga xhepi. Puna deri më tani është bërë me 90 milionë eurot e buxhetit)
Opinion- një pikëpamje apo gjykim rreth dikujt apo diçkaje jo medoemos e bazuar në fakte! (Nuk besoj se drejtësia do t’i shkoj deri në fund hetimit të djegësave)
Mendim-një ide apo opinion produkt i të menduarit, ose që ndodh papritur në mendje. “ra në mendime” (Pse brenda një dite u shpall gara për djegësat, u mbylllën ankesat dhe u nënshkrua kontrata)
Gënjeshtër: – e pavërteta. (Nuk ka asnjë shkelje në kontratat me djegësat)
Thashethem:- qarkullimi njoftimeve që janë të dyshimta sa i përket vërtetësisë! (Të gjithë kanë ngjyer gishtat dhe duart tek djegësat, majtas dhe djathtas, lart dhe poshtë)
Spekullim:- qarkullimi i një hamendje apo teorie e pambështetur në prova të qëndrueshme. (Një nga personat e përfolur për djegësat është emri letrar i një ministri. Pritet që të zgjerohet rrethi i personave që do të merren në pyetje nga prokurorët.
Fantazi: – aftësia për të përfytyruar dhe shkruar gjëra që mund të ndodhin vetëm në mendjen e njeriut! (Paratë e incineratorëve do të pastrohen në portin turistik të Durrësit dhe po investohen në pasuri të paluajtshme në Nju Jork)
Gjykim- aftësia për të marrë vendime të menduara/arsyetuara ose për të arritur në përfundime të arsyeshme. (Djegësat, ndofta nuk janë afera më e madhe, por padyshim më “transparetja” e tranzicionit shqiptar)
Analizë- shqyrtim i hollësishëm i fakteve dhe ngjarjeve me synimin për të shpjeguar situata komplekse. (Djegësat u kontraktuan për të djegur plehrat, por rrezikojnë të djegin qeverinë)
Koment: shprehja e një opinioni, ose reagimi! (Ata që nuk i përgjigjen ftesës së komisionit hetimor për djegësat, ndoshta nuk e dinë që po kryejnë vepër penale)
Shpifje: – publikimi i informacionit të rremë për një person me qëllim dëmtimin e reputacionit tij. (Ish drejtori përgjithshëm i policisë është fotografuar me “të kërkuarin” e djegësave. Policia e inkriminuar do të sabotojë hetimet)
Shkrimi i bazuar në fakte dhe analizë
Në Parlament është ngritur një komision hetimor për të hetuar çështjen e Djegësave, ndërkohë SPAK ka arrestuar ishi ministrin e Mjedisit dhe ka marrë në pyetje deputet dhe kryetarë bashkie!
Djegësat kanë ngrohur disa xhepa, kanë djegur buxhetin dhe kanë avulluar shpresat për një vend të pastër.
Djegësat janë “ngritur” në tre qytete, por në asnjë nuk janë respketuar kontratat.
Pronarët e “djegësave” janë në kërkim nga prokuroria speciale. Për to ka një mandat arresti ndërkombëtar.
Hetimi ka nisur nga raportimet e medias dhe raporti i KLSH i cilikonstaton shkelje të shumta ligjore. Në SPAK janë dorëzuar padi edhe nga përfaqësues të politikës.
Kompanitë që janë nën hetim vijojnë të paguhen. Djegësat kanë paguar jo vetëm një pjesë të medias por janë bërë publike edhe pagesa të paarsyetura për individë të lidhur me politikën etj.
Hetimet nga Parlamenti dhe SPAK, arrestimet, marrjet në pyetje, shpalljet në kërkim, provojnë që “djegësat” janë më së paku një aferë korruptive.
Dy prej djegësave ekzistojnë vetëm në letër.
Disa zyrtarë kanë refuzuar t’i përgjigjen ftesës së komisionit hetimor parlamentar, duke rrezikuar që ndaj tyre të ngrihet një padi penale.
Hetuesit po hetojnë faktin që brenda një dite u shpall gara, u mbyllën ankesat, u firmos kontrata dhe nisi financimi!
Ata që fituan kontrata për djegësat nuk paguan asnjë qindarkë nga xhepi. Puna deri më tani është bërë me 90 milionë eurot e buxhetit.
Djegësat që dje u kontraktuan për të djegur plehrat, sot rrezikojnë të djegin qeverinë.
Shkrimi i bazuar në opinione, fantazi dhe spekullime
Për djegësat ka shumë fjalë, por askush nuk beson se do të ketë drejtësi.
Nuk do të hetohet sepse të gjithë “kanë ngjyer gishtat” në këtë aferë, majtas dhe djathtas, lart dhe poshtë.
Një nga personat e përfolur për djegësat është emri letrar i një ministri. Pritet që të zgjerohet rrethi i personave që do të merren në pyetje nga prokurorët. Këtu përfshihen deputetë, drejtorë drejtorie, sekratari i përgjithshëm i KM etj.
Paratë e incineratorëfve do të pastrohen në portin turistik të Durrësit dhe po investohen në pasuri të paluajtshme në Nju Jork.
Këto ditë personi në kërkim i “djegësave” është parë duke pirë kafe me ish drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Ky është një fakt tjetër i inkriminimit të policisë dhe provë se hetimit djegësave nuk do t’i shkohet kurrë deri në fund.