Presidentja e Këshillit Europian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për shtyp nga Brukseli u shpreh se solidariteti dhe bashkëpunimi janë në qendër të çdo strategjie të suksesshme në lidhje me shtetin rus, si një furnizues jo i besueshëm.
“Bashkëpunimi për shembull, siç është demonstruar nga Danimarka, Gjermania, Holanda dhe Belgjika, të cilët disa ditë më parë treguan në samitin e përbashkët se çfarë do të thotë zhvillimi i energjisë së erës në det të hapur në Detin e Veriut.
Dhe, sigurisht, solidariteti. Kjo ishte një temë e madhe sot, duke treguar se në rast të një ndërprerjeje të plotë të furnizimeve të gazit nga Rusia, të jenë krijuar kushtet që gazi të rrjedhë kudo që nevojitet në Evropë”, tha ajo.
Presidentja e KE ka trajtuar si temë të dytë çështjen e mbrojtjes.
“Tema e dytë është mbrojtja. Lufta ishte përsëri një kujtesë e fortë për vendet anëtare mbi nevojën për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse. Ne kemi parë zhvillime pozitive. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, aleancën më të fortë ushtarake në botë, dhe ata do të përfitojnë shumë nga anëtarësimi i tyre.
Por edhe fakti që që nga fillimi i luftës, liderët dhe shtetet anëtare njoftuan 200 miliardë euro shpenzime shtesë ushtarake. Tani është e rëndësishme që ne të sigurohemi që nga ky investim shtesë, të marrim vlerën maksimale.
Në konferencën e saj për shtyp në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se BE do të vërë në dispozicion fonde për të ndihmuar në rimbushjen e “materialit ushtarak që është dërguar në Ukrainë”.
Ajo bëri thirrje për një koordinim dhe ndërveprim më të madh të pajisjeve ushtarake të shteteve anëtare.
Para nisjes së konferencës, Von der Leyen ka postuar në Tëitter.
“Përballë luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, vendet anëtare të BE-së po bashkohen për të forcuar mbrojtjen, për të siguruar furnizim të besueshëm dhe të qëndrueshëm me energji dhe për t’u mobilizuar kundër një krize globale ushqimore në zhvillim”, shkroi ajo.
Në konferencë, veç zonjës Von der Leyen ishte edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.
Ai foli mbi situatën e krijuar nga lufta, në lidhje me eksportin e produkteve ushqimore. I pyetur në lidhje me mundësinë e exportimit të grurit nga Ukraina nëpërmjet Bjellorusisë apo prteve në Detin e Zi, Michel tha se ky do të jetë prioriteti i tyre kryesor.
“Ky do të jetë prioriteti i parë, sepse janë 22 milionë tonë drithë që janë bllokuar në Ukrainë, veçanërisht në Odesa. Para disa javësh shkova në këtë qytet, për të parë me sytë e mi se si është situata në terren. Vende si Egjipti dhe vende të tjera në Afrikë, janë viktima të kësaj situate. Do të thotë se ne mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të gjetur një marrëveshje për hapjen e një korridori detar në Detin e Zi”, është shprehur ai.
Michel ka bërë me dije se Bashkimi Europian ka diskutuar në lidhje me një rrugë alternative eksporti nëpërmjet Detit Baltik në veri të kontinentit.
“Ne diskutuam për mundësitë e ndryshme të nevojshme për të zhvilluar rrugë alternative, por e dimë se një gjë e tillë është më e vështirë për tu realizuar, si dhe ka më shumë kosto. Është më e vështirë për arsye të dukshme logjistike”, shtoi ai./albeu.com