Keqinformimit, shumica socialiste kërkon t’i bëjë ballë me një komision të posaçëm parlamentar. Ngritja e tij pritet të miratohet në konferencën e kryetarëve të mërkurën.
Në dokumentin dorëzuar kryeparlamentares Lindita Nikolla thuhet se qëllimi i komisionit është të identifikojë ndërhyrjet e shteteve të huaja, armiqësore, në proceset demokratike të Shqipërisë, përmes keqinformimit nga mediat tradicionale dhe ato sociale.
Objekt i punës së këtij komisioni të posaçëm thuhet në dokument do të jetë edhe zbatimi i ligjit për financimet e huaja të fushatave zgjedhore dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në informimin publik.
“Duhet të organizojë seanca dëgjimore me përfaqësues të mediave tradicionale, sektorit të biznesit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të nxitur një debat mbi rritjen e përgjegjësisë për të luftuar ndërhyrjen e huaja, duke përfshirë dezinformimin, jo ekskluzivisht vetëm nga autoritetet publike, por edhe në bashkëpunim me bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë dhe mediave sociale dhe sektorin privat në përgjithësi, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për të mos cenuar lirinë e shprehjes.”
Në përfundim të punës një vjeçare, ky komision do të dalë me raport dhe ku kuvendit do t’i propozojë ndryshime në ligj dhe ndëshkime administrative ndaj atyre që keqinformimin e përdorin për të ndikuar negativisht në procesin anëtarësues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Duhet të vlerësojë dhe masat ligjore për kufizime të forta në burimet e financimit, duke patur në konsideratë se aktorët e huaj kanë gjetur mënyra të ligjshme dhe të paligjshme për të anashkaluar detyrimet ligjore dhe kanë ofruar mbështetje të fshehtë për aleatët e tyre duke marrë hua në bankat e huaja, duke ofruar në natyrë sende me vlerë, përmes marrëveshjeve të blerjeve dhe atyre tregtare, kompanive guaskë, organizatave jofitimprurëse, donatorëve të lëvizjeve qytetare, teknologjive në zhvillim që ofrojnë anonimitet, reklamave në internet apo mediave ekstremiste online dhe përmes lehtësimit të aktiviteteve financiare.”
Përveç 13 anëtarëve, ku Partia Socialiste do të ketë shumicën dhe drejtimin, në përbërje do të jetë edhe një grup ekspertësh nga institucionet kryesore të sigurisë dhe medias.
Të gjitha institucionet përfshirë edhe ato të pavarura, si organet e drejtësisë, do të jenë të detyruara të japin çdo informacion apo dokument të kërkuar nga komisioni i posaçëm kundër keqinformimit.