Një ditë pas atentatit të dështuar ndaj Tonin Ramajt në Vlorë, asnjë gjurmë nga autorët, dyshimet e policisë

Nuk ka ende asnjë gjurmë për autorët e atentatit të dështuar ndaj Tonin Ramajt, i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme (26 qershor) në Vlorë.

Sakaq policia dyshon se autorët kanë qenë tre dhe se dy prej tyre kanë qëlluar disa herë në drejtim të Toninit duke e plagosur në këmbë.

Tonin Ramaj u qëllua 4 herë teksa qëndronte i ulur në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen “Pavarësia”. Pavarësisht se u qëllua disa herë në drejtim të tij, me sa duket autorët, ende të paidentifikuar nuk ia kanë arritur qëllimit pasi 33-vjeçari ka marrë vetëm një plumb në këmbë.

Ramaj është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu mësohet se në polici janë shoqëruar 3 persona që mendohet se janë dëshmitarë të ngjarjes. Sipas hetimeve të deritanishme shkak i atentatit të dështuar mendohet të jenë konflikte të vjetra që i plagosur ka patur në të kaluarën me autorët./albeu.com/