Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha sot në një konferencë për shtyp se qytetarët mezi po presin protestën e opozitës ditën e nesërme.
“Zemërimi i qytetarëve po kulmon, po rritet çdo orë dhe me padurimin më të madh po presin protestën e nesërme në orën 4 si një ngadhënim të plotë të popullit opozitar, si një dëshmi përfundimtare e vendimit të këtij populli për të mos pranuar kurrë më armikun e egër të votës së tyre të lirë të sillet siç është sjellë me ta, për të mos pranuar kurrë më një kryehajdut të të gjitha kohërave për t’i vjedhur e mjeruar ata, për të mos pranuar kurrë më tej një armik të qenies së tyre që po i përzë, po i dëbon çdo ditë nga Shqipëria”, tha Berisha.
“Shqiptarët e shohin se çfarë fjalori të ulët prej halabaku ordiner përdor ky njeri për opozitën. I mbrujtur me edukatën e babait dhe dajos xhelat, ky ka për kundërshtarin psikologjinë e xhelatit. Të gjitha këto janë temat e protestës”.
Një ditë para protestës së opozitës, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka publikuar edhe një video ku fton shqiptarët ti bashkohen nesër në tubimin përballë kryeministrisë.
“Nesër ora e shqiptarëve! Të gjithë në protestë!”, shkruan Berisha.