Nis operimi Bursa Shqiptare e Energjisë, Yuri Kim: Duam që Shqipëria të rrisë potencialin energjetik

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, mori pjesë sot në aktivitein për nisjen e operimit “Bursa Shqiptare e Energjisë”.

Ankandi i parë në Bursën Shqiptare të Energjisë hidhet sot duke i hapur rrugë kështu zyrtarisht operimit të kësaj burse.

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim theksoi se synim i SHBA-ve është që të shohë Shqipërinë që të rrisë potencialin energjetik.

“Me rëndësi është integrimi ekonomik në Europë, duke përdorur sisteme tregu, ku Shqipëria do ketë mundësi që të bashkohet me shtetet e tjera. SHBA kanë qenë krenare për këtë vend, USAID ka qenë aty që nga hapja e bursave. Kur punojmë se bashku mund të arrijmë gjera të mëdha. Shqipërinë duam ta shohim që të rrisë potencialin energjetik. Ky bashkim tregu do të integrojë Shqipërinë në tregun paneuropian për rritjen e sigurisë në këtë sektor. Do ketë më shumë furnizim dhe çmime më të mira.”, tha ambasadorja e SHBA-ve.

Në një vendim të marrë pak ditë më parë qeveria shqiptare miratoi procedurat mbi të cilat do marrë jetë aktiviteti i bursës shqiptare të energjisë. Sipas vendimit, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, vendoset ndërmjet transaksioneve të palëve brenda tregut të energjisë elektrike dhe merr rolin e blerësit kundrejt kundërpalës shitëse dhe rolin e shitësit kundrejt kundërpalës blerëse, me qëllim garantimin e transaksioneve.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, sipas modelit të tregtimit të energjisë elektrike, nuk kryen në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtari të shitblerjes së energjisë elektrike, por ofron shërbimin e administrimit e të garantimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet platformës së tregtimit, klerimit dhe shlyerjes, si kundërpalë qendrore. Duke pasur këtë rol për të gjitha transaksionet që kryhen në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, si në blerje ashtu edhe në shitje të energjisë elektrike, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka edhe përgjegjësinë e lëshimit të faturës, si për blerësin ashtu edhe për shitësin e energjisë elektrike.

Në vendim përcaktohet se Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike lëshon një faturë tatimore për anëtarin e saj që nga transaksionet e përmbyllura gëzon pozicionin e blerësit të energjisë elektrike, e cila do të jetë me TVSH të përjashtuar.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike lëshon një faturë tatimore, në emër të anëtarit të saj, i cili nga transaksionet e përmbyllura gëzon pozicionin e shitësit të energjisë elektrike. Kjo faturë do të jetë me TVSH të përjashtuar.

Sipas vendimit, në rastin kur blerësi i energjisë elektrike e përdor atë për nevojat e veta, duke mos pasur si qëllim që ta rishesë, ai përgatit një faturë tatimore, në të cilën është edhe në pozicionin e shitësit edhe në pozicionin e blerësit. Ky furnizim do t’i nënshtrohet normës standarde 20% të TVSH-së. Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm brenda vendit, faturimi do t’i nënshtrohet normës standarde 20 % të TVSH-së. Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm jashtë Republikës së Shqipërisë, faturimi do të trajtohet me shkallë 0 % të TVSH-së./Albeu.com/


Shtuar 11.04.2023 11:38

Tags: