Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë sot para Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm”, kështu ka deklaruar ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në Hagë
Prej nëntorit të vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë, janë krijuar pas votimit më 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Ky institucion, që njihet edhe si Gjykata Speciale, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në aktakuzën e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmenden 40 lokacione ku dyshohet se u kryen krime.
Po ashtu, aty përmenden më shumë se 400 persona që dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm, 102 të vrarë dhe 20 të zhdukur./albeu.com/