Kjo javë u mbyll me temperatura të ulëta, reshje shiu dhe dëborë në disa zona malore të vendit. Edhe javën e ardhshme, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se acari do të vijojë.
Masat ajrore polare dhe frontet e ftohta të njëpasnjëshme që tashmë kanë përfshirë territorin tonë do të na shoqërojnë në pjesën më të madhe të kohës edhe gjatë në javën që vjen.
Ditën e hënë do të kemi mot të qëndrueshëm e të kthjellët me temperatura të ulëta në vlerat minimale.
Ditën e martë dhe të mërkurë do të kemi mot të paqëndrueshëm me reshje shiu me intensitet mesatar e lokalisht të lartë. Reshjet do të jenë në formën e rrebesheve të shpejta dhe stuhive. Bora do të jetë prezente në veri, verilindje dhe juglindje kryesisht me intensitet deri mesatar në zonën e Bajram Currit, Kukësit, Peshkopisë dhe Korçës.
Ditën e enjte dhe të premte moti parashikohet me alternime të herëpasherëshme vranësirash të cilat do të pasohen me reshje shiu me intensitet ulët. Vlen të theksohet prezenca e ngricave të forta përgjatë akseve rrugore në relievet malore, si dhe mjegull e mjegullinë për shkak të reshjeve të shiut e të borës.
Edhe Instituti i Gjeoshkencave thotë se të hënën temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 2 / 12 °C, në vendet e ulëta: -2 / 10 °C dhe në vendet malore: -8 / 4 °C. Të hënën era pritet të jetë e lehtë deri mesatare në të gjithë vendin.