Ngjarje kriminale dhe prishje të pazareve të drogës: Si zhdukja e Tauland Malshit në Spanjë solli edhe një zinxhir atentatesh

Rrëmbimi dhe zhdukja e Tauland Malshit në Spanjë, në fundgushtin e vitit 2018, mendohet se solli edhe një zinxhir atentatesh, ku personazhe kryesorë rezultonin të ishin njerëz që kishin gisht në eleminimin e tij.

Ngjarje kriminale, ku në qendër të të gjithë përplasjeve, duket se ishin sasitë e mëdha të humbura të kokainës. Apo pazaret e prishura të drogës, midis bandave shqiptare që operonin në vende të ndryshme të Evropës.

Një ndër këto emra që do të dilte i përfshirë në këto atentate, është edhe Edmir Vlashi. Ai që do të rezultonte të ishte edhe personi i fundit që shoqëroi dhe pa në të gjallë në Spanjë, Tauland Malshin. Ai që i dha lajmin familjes së këtij të fundit për pengmarrjen dhe zhdukjen e tij nga Fatbardh Dervishi Doda. Personazh i cili sot akuzohet dhe është në kërkim nga policia si një nga organizatorët e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Prend Paluca, me banim në Kamëz.

Ngjarje kriminale kjo, e cila u parandalua nga policia më 8 dhjetor 2021. Ku Edmir Vlashi me shokun e tij Hektor Ndoka, kishin mundësuar të gjithë bazën e duhur materiale për të kryer vrasjen.

E cila do të kryhej me minë të telekomanduar. Atentat, i cili do nëse do të përfundonte me sukses do të ishte i treti në radhë që do të kryhej ndaj sipërmarrësit Paluca.

Ku, lidhur mbi atentatin e fundit të dështuar, policia arrestoi Nikollë dhe Marije Markun. Të cilët kishin vendosur lokalin e tyre në Lezhë, në dispozicion për armatimin që do të përdorej në eleminimin e Palucës.

Ku gjatë kontrollit u gjetën dy mina me telekomandë të prodhuara jashtë vendit si edhe një arsenal i madh armësh, ndër to edhe me shënjestër optike dhe silenciator. Si edhe radiomarrëse policie.

Ndërsa në pranga ra edhe Mark Lamkja, dhëndrri i çiftit të bashkëshortëve, Marku. Po përse Edmir Vlashi dhe shoku i tij Hektor Ndoka ishin të interesuar të eleminonin Prend Palucën?

Zyrtarisht Prokuroria e Lezhës thotë që Edmir Vlashi që mban edhe mbiemrin Marku, dhe Hektor Ndoka që mban edhe mbiemrin Sadiku, po kërkonin të vrisnin Prend Palucën për shkak të një përplasje të lindur jashtë vendit midis Edmirit dhe vëllezërve të Palucës. Konflikt, që ishte përshkallëzuar, për shkak të humbjes së një sasie të madhe kokaine në Belgjikë. Ndaj për këtë arsye, ata kishin vendosur që të hakmerreshin ndaj Palucës në Shqipëri.

Sipas organit të akuzës, përplasjet për drogën midis Vlashit dhe vëllezërve Paluca kishin nisur që në vitin 2017. Prend Paluca mësohet se ka disa vëllezër të shpërndarë në Evropë.

Por, në pamundësi për të rënë në gjurmët e tyre, Edmir Vlashi dhe baxhanaku i tij Hektor Ndoka, të dënuar më herët në Belgjikë për grabitje me armë dhe drogë, vendosën të vrisnin, Prend Palucën. Njërin nga vëllezërit e Palucajve që jeton në Shqipëri.

Atentat që ishte i fundit në radhë ndaj tij, por që ishte paraprirë nga dy të tjerë. Më i rëndi, i ndodhur më gusht të vitit 2021. Ku Prend Paluca mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri në pragun e banesës së tij në Kamëz.

“Më datën 7 gusht 2018 rreth orës 07:30 kam dalë nga banesa dhe kam shkuar në aktivitetin tim privat, i cili ndodhet pranë kthesës së Valiasit.  Në punë kam qëndruar deri rreth orës 17.30.  Më pas me furgonin tim dhe me dy shokë kam shkuar tek një lokal në rrugën “Berisha”.  Aty kemi qëndruar deri rreth orës 19:30- 20.00. Më pas kam ikur në shtëpi me njërin prej shokëve, ndërsa shoku tjetër ka ikur me biçikletë.  Kur kam shkuar në shtëpi, bashkëshortja më ka thënë se do të shkonim tek shtëpia e një të njohurës tonë që quhet Vojsava. Në banesën e saj kemi qëndruar deri rreth orës 21.40, ku kanë ardhur dhe vajzat tona.  Më pas me mjetin tonë kemi ikur drejt shtëpisë. Fillimisht kemi ndaluar tek një furrë buke dhe më pas kemi vazhduar për në rrugën “Kosova”.  Sapo kam hapur derën më është afruar një person i veshur me rroba të errëta dhe me maskë, më ka qëlluar me armë zjarri pa më folur fare.  Për t’u mbrojtur nxorra dorën, por u plagosa në dorë dhe në bark.Bashkëshortja dhe vajzat kanë hapur derën e krahut të djathtë dhe janë larguar në drejtim të hyrjes së banesës.  Më pas më kanë marrë dhe më kanë dërguar në spital.  Gjatë kohës që kam qenë në lëvizje nuk kam vënë re asnjë person apo mjet të dyshimtë. Po atë ditë rreth orës 08.30 më ka telefonuar një numër që nuk e kujtoj.  Personi ishte femër dhe më pyeti se kush isha.  Sapo i thashë emrin tim e mbylli telefonin. ”

Në këtë sulm me armë ndaj familjes Paluca, mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e shënjestrës së atentatit, Antoneta. Teksa plumbave u shpëtuan fatmirësisht vajzat e çiftit, njëra prej tyre e mitur.

“Pasi mbërritëm në banesë, rreth orës 21.45-22.00 na u afrua një person i cili mbante një kapuç të zi. Ku në trup mbante të veshur një xhaketë ngjyrë ushtarake.  Ndërsa në dorë mbante një pistoletë me silenciator të zi.  Ky person u afrua në krahun e shoferit.  Në momentin që doja të hapja derën e furgonit dëgjova një zhurmë të mbytur, kohë në të cilën bashkëshorti më tha se e kishin qëlluar.  Bashkë me vajzën e tërhoqëm për dore duke e nxjerrë jashtë.  Kam parë se personi që qëlloi u largua duke dalë pas automjetit, por drejtimin nuk e pashë sepse nuk ma lejonte furgoni.  Menjëherë thirra kunatin i cili quhet Aleks Kola ku i thashë që kishin qëlluar Prendin.  Aleksi doli nga banesa dhe së bashku me të e kemi ulur bashkëshortin tim në oborrin e shtëpisë.  Më pas shkova të merrja makinën që kishim në banesë për të dërguar Prendin në spital. Aty kam vënë re që kisha dhe unë një plagë në këmbën e majtë sepse po më digjte.  Bashkëshorti im aktualisht ka një biznes të tijin ku merret me punime elektrike në pallate dhe banesa.”

Biznesi është hapur së bashku me vëllain e tij Mark Paluca i cili aktualisht ndodhet në shtetin belg. Atë natë gjatë lëvizjes nuk kam vënë re ndonjë person të dyshimtë. Të njëjtat dëshmi u përforcuan edhe nga vëllai i objektivit të sulmit.

Aleks Kola, tha për hetuesit se në dijeninë e tij, vëllai i tij nuk kishte ndonjë përplasje.

“Rreth orës 21.00 kam dëgjuar zërin e kunatës e cila kërkonte ndihmë.  Kam lëvizur mjetin dhe me ndihmën e fqinjëve kam dërguar Prendin në spital.  Gjatë rrugës vëllai më ka treguar se ishte qëlluar me armë zjarri.  Rrugës vura re se ishte dëmtuar edhe kunata.Ajo më tregoi se ishin plagosur nga një person i veshur me të zeza, rreth 1.70 i gjatë, rreth moshës 35 vjeç.  Nuk kam dëgjuar të shtëna armësh.  Në dijeninë time vëllai im nuk ka patur konfikte apo hasmëri me ndonjë familje. Gjithashtu nuk kam parë ndonjë person të dyshimtë afër banesës.”

Por edhe pse Palucët kishin rënë dy herë pre e atentateve, ata nuk dhanë emra mbi personat që ishin investuar për t’i hequr qafe. Por kjo duket se nuk e pengoi policinë të mbante në vëzhgim Edmir Vlashin. Ku hetimet kishin zbuluar se Vlashi kishte tentuar edhe më herët të hakmerrej ndaj familjes Paluca. Ku dyshohet se ishte edhe organizatori i atentatit të parë të shpërthimit me lëndë eksplozive. Ngjarje kjo e ndodhur në banesën e familjes Paluca, e cila fatmirësisht u shoqërua vetëm me dëme materiale. Ku shkak për të gjithë këto atentate, duket të jetë fakti se Palucët i kishin rrëmbyer Vlashit në Belgjikë një sasi droge, të cilën nuk ia kishin kthyer. Por ky atentat i dështuar do të ishte vetëm perdja e fundit e skenës kriminale ku në qendër do të ishin personazhet e sipërpërmendur. Kjo, pasi më herët një sërë ngjarjesh të tjera, kishin shërbyer si prelud i rrëmbimeve dhe atentateve të ndërsjellta.  Më 9 shtator 2021, vetëm një muaj pasi Prend Paluca u sulmua me armë në banesën e tij, persona të paidentifikuar tentuan të rrëmbenin Hektor Ndokën. I cili është shok me Edmir Vlashin. Personat që do të ishin edhe kokat e atentatit më të fundit të dështuar ndaj Prend Palucës.

Sipas policisë, ngjarja u shënua në orën 15:40 minuta të datës 9 shtator 2021, në afërsi të kryqëzimit që të çon për në godinën e Njësisë Administrative Shëngjin, në aksin Porti i Shëngjinit-Lezhë. Hektor Ndoka mësohet se po udhëtonte me një automjet tip Audi me targa italiane, me nënën e tij, kur një tjetër automjet u preu rrugën. Sipas dinamikës së ngjarjes, nga automjeti dolën dy persona.

Të cilët pasi qëlluan në tokë me pistoletë, tentuan të rrëmbenin objektivin e tyre. Por, nuk ia arritën qëllimit.

Kjo, pasi Hektor Ndoka, i dha shpejtësi makinës dhe u largua nga vendngjarja. Skena e rrëmbimit të dështuar, u fiksua edhe nga kamerat e sigurisë, të një banese private. Ku u dallua edhe profili i njërit prej autorëve.

Hektor Ndoka

“Unë jam emigrant prej 3 vitesh në Spanjë, ku jetoj me leje të rregullt qëndrimi.  Në Shqipëri jam kthyer më datë 8 shtator 2021 rreth orës 11.00.  Më datë 9 shtator 2021 rreth orës 12.00 jam kthyer në qytetin e Lezhës dhe kam drekuar me dy miqtë e mi në një lokal që ndodhet në lagjen ‘Besëlidhja’.  Pasi u ndava prej tyre u nisa për në Shëngjin për të marrë nënën time, e cila punon në një fabrikë peshku.  Aty, jemi nisur për t’u kthyer në shtëpi.

Sapo kam kaluar kryqëzimin e rrugës së komunës së Shëngjinit, një autoveturë tip A6 me ngjyrë kafe me targa malazeze, erdhi përballë meje, duke më bllokuar rrugën.  Nga makina pashë që zbriti një person. Ndërsa me të ishin dhe dy persona të tjerë.  I dhashë shpejtësi makinës dhe u largova.”

Edhe Hektor Ndoka, në dëshminë e tij, si në shumë raste të ngjashme, mohoi që të kishte konflikte. Pavarësisht të shkuarës së tij problematike.

Ndërsa tashmë është shpallur në kërkim bashkë me shokun e tij Edmir Vlashi, për organizimin e atentatit të dështuar ndaj Prend Palucës. Ku i duhet të përgjigjet përpara drejtësisë, për një seri ngjarjesh, që kanë prodhuar gjak dhe dhunë, por edhe të zhdukur për të cilët mund të ketë dijeni. Ndërsa pazaret e drogës, duket se nuk do i ndalin këtu viktimat e tyre.

 


Shtuar 26.01.2022 22:19