Opinioni publik u trondit të shtunën kur u raportua për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Golem, në qytetin e Durrësit. Policia gjeti një makinë të djegur, ku brenda saj ishte edhe kufoma e një gruaje.
30 metra larg vendit të ngjarjes u gjet i varur në një pemë edhe një burrë. Nga hetimet e deri tanishme thuhet se Bilbil Shirja fillimisht ka djegur brenda makinës gruan e tij, Fëllënxa, e më pas ka varur veten.
Policia ka njoftuar se ata ishin në një proces divorci dhe këtë të hënë kishin seancën e radhës. Për këtë ngjarje të tmerrshme, kanë folur fqinjët e Bilbilit.
Një grua është shprehur për mikrofonin e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel se e dinte se gruaja e ndjerë kishte ikur për të jetuar te familja e saj, por nuk dinte më shumë.
“Ajo punonte në Golem, ai nuk e di se me çfarë merrej”, thotë ajo.
Ndërsa një tjetër fqinj tregon se nuk shkonte mirë me Bilbilin, pasi ka pasur probleme pronash me të. Por për Fëllënxën flet mirë.
“Nuk shkoja mirë. Kemi pas probleme pronash. Nusja ka qenë shumë e mirë. Ai mori në qafë veten dhe gruan. Nuk kanë qenë të ndarë, më përpara nuk kemi pas marr vesh gjë për sherre”, tha ai.