Ditën e sotme, Kuvendi i Kosovës, do të tentojë për herë të 26-të të kalojë ngërçin politik dhe të konstituojë këtë institucion.
Mësohet se seanca do të nisë në orën 10:30. Seanca e 25-të dështoi sërish, pasi nuk mori votat e mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Nga 104 deputetë që ishin në sallë, 51 deputetë votuan për, një kundër dhe s’pati abstenim. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti sërish nuk pranuan të propozojnë emrat si dhe nuk morën pjesë në votim.
Sipas rregullores së Kuvendit, propozimi për kryetar i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve -Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Kjo e fundit ka kandiduar Albulena Haxhiun për këtë post dhe, ndonëse ka shprehur gatishmëri për marrëveshje politike me subjektet tjera, ka bërë të qartë se nuk do të propozojë emër tjetër.
Përveç kryetarit, për konstituimin e plotë të legjislaturës së nëntë duhet të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.
Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi, mund të procedohet me hapat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.
Kriza politike e pas zgjedhjeve, ka ardhur si pasojë e mungesës së shumicës parlamentare nga ndonjë subjekt i vetëm dhe dështimit të deritanishëm, për arritjen e një koalicioni funksional.