Një turiste nga Peruja është shpëtuar nga shërbimet e Policisë së Grmashit këtë të shtunë.
Uniformat blu bëjnë me dije se turistes nga Peruja iu rrezikua jeta, si pasojë e ngecjes midis shkëmbinjve në “Ujëvarën e Sotirës”.
Njoftimi i Policisë
Gramsh / Përkushtim dhe sakrificë për t’u ardhur në ndihmë turistëve, vizitorëve dhe pushuesve në të gjithë vendin, që gjenden në vështirësi të ndryshme.
Iu rrezikua jeta, si pasojë e ngecjes midis shkëmbinjve, shërbimet e Policisë së Gramshit i vijnë në ndihmë turistes nga Peruja.
Më datë 27.08.2022, në vendin e quajtur “Ujëvara e Sotirës”, 1 turiste nga Peruja, duke eksploruar me këmbë zonën, ka mbetur e bllokuar midis shkëmbinjve, për shkak të terrenit të vështirë e të thepisur.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh dhe shërbimet mbështetëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishte mbetur e bllokuar turistja.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe punës së mirorganizuar, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e turistes nga terreni i vështirë ku ishte bllokuar, të cilës, më pas, i është ofruar shërbimi mjekësor dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
DVP Elbasan fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.