Nga “vëllai i madh” te “pluhuri i zanave”, zbardhen përgjimet e grupeve që shisnin drogë afër shkollave

Policia e Tiranës në një konferencë për mediet ditën e djeshme bëri me dije se kishte shkatërruar dy grupe kriminale dhe kishte arrestuar 20 perona.

Katër persona të tjerë u shpallën në kërkim.

Të arrestuarit shisnin drogë, kryesisht në afërsi të shkollave.

Nga përgjimet mes të arrestuarve, kodet që ata përdornin për kokainën ishin si “pluhur zane”, “vëllai i madh” nëse bëhej fjalë për sasi të madhe kokaine dhe “vëllai i vogël” nëse ishte sasi më e vogël, si 0.5 gram apo 1 gram kokainë.

Ndërsa për shitjen e kanabisit, anëtarët e dy grupeve përdornin kodin “seqe”, duke specifikuar përkatësisht edhe sesa qese shisnin.

Pjesa më e madhe e kanabisit shitej te “Petro Nini”. Një nga të arrestuarit, Dorjano Çela ishte personi që kishte siguruar klientët në këtë gjimnaz.

Sipas burimeve, një nga vajzat e shpallura në kërkim, rezulton sipas sistemit TIMS se është larguar në Itali më datë 14 mars, një javë para operacionit. Shtrirja e aktivitetit të tyre ishte e ndarë në 11 zona të ndryshme duke përfshirë këtu 28 lagje. Anëtarët e grupeve ndaheshin në nën grupe të vogla me 2, 3 apo 4 anëtarë. Numri më i lartë, me 4 anëtare ishte në zonën e Bllokut, Kombinatit dhe në Yzberisht.

Disa prej të arrestuarve janë:  Fabian Qoku,Redi Lolaj, Eduard Hysa, Dorjano Çela, Enver Mehmeti, Fatbardh Bardhi, Martin Kuka, Marsel Gjona, Mariglen Hoxha, Muharrem Tarushi, Polikron Shabani, Erion Xhaxho, Altin Llani dhe Jurgen Hasamataj.

Gjatë operacionit u sekuestruan 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 mln lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete si dhe 29 aparate celulare./Albeu.com/