Një masë shtesë nga dita e sotme do të hyjë në fuqi me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit me virusin korona, përkatësisht të stimulimit për vaksinimin anti-Covid.
Duke filluar nga dita e sotme, prania në ambientet e mbyllura publike dhe private do të jetë e detyrueshme vetëm me dy doza të vaksinave.
Ndonëse jemi në javën e dytë të valës së re, Komisioni për sëmundje infektive ditë më parë nuk rekomandoi masa të reja restriktive, por Ministria e Shëndetësisë dje vetëm se ngushtoi rrugët e të pa vaksinuarve.
“Ministria e Shëndetësisë informon se duke filluar nga 15 nëntori 2021 për të hyrë në objekte të mbyllura është e nevojshme të keni certifikatë për imunizim të plotë, përkatësisht të tregoni dokumentin se keni marrë dy doza të vaksinave kundër virusit korona. Ose duhet të posedoni vërtetim që dëshmon se keni kaluar infeksionin me CoVid-19 në 45 ditët e fundit, duke filluar nga dita e parë e shërimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.