Një provë e thjeshtë dëshmoi se edhe pak minuta komunikim me persona të panjohur mund të përmirësojnë gjendjen emocionale, të forcojnë vetëbesimin dhe të shtojnë ndjesinë e lidhjes me të tjerët.
Të lidhura
None found
Gjatë një dite të zakonshme, secili prej nesh ndesh dhjetëra njerëz në autobus, dyqan, park, palestër ose teksa pret fëmijët pas aktiviteteve. Megjithatë, zakonisht kalojmë pranë tyre pa shkëmbyer asgjë më shumë se një vështrim.
A mund të ndryshojnë humorin dhe ndjenjën tonë të përkatësisë vetëm disa minuta bisedë me dikë që nuk e njohim?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, gazetarja dhe shkrimtarja Katharine Chan ndërmori një eksperiment shtatëditor. Rregulli ishte i qartë: për shtatë ditë me radhë, ajo duhej të merrte vetë nismën për të folur çdo ditë me nga një të panjohur.
Jeta e përditshme e Chan zhvillohej mes shumë njerëzve, por përmbante pak komunikim të drejtpërdrejtë. Si shkrimtare, ajo kalonte pjesën më të madhe të ditës përpara ekranit, ndërsa kontaktet e saj realizoheshin kryesisht përmes mesazheve dhe email-eve.
Bisedat ballë për ballë kufizoheshin zakonisht te bashkëshorti dhe, herë pas here, te ndonjë prind tjetër. Ndryshe nga ajo, bashkëshorti i saj mund t’i çonte fëmijët në futboll dhe të kthehej me numrat e telefonit të personave që sapo kishte takuar.
Chan vepronte krejt ndryshe. Kur shkonte për të marrë fëmijët, shpesh mbante kapelë dhe syze dielli, me shpresën se askush nuk do ta përfshinte në bisedë.
Kjo e shtyu të mendonte se ndoshta gabimisht e kishte lidhur krijimin e marrëdhënieve të reja me një investim të madh kohe dhe energjie. Prej kësaj dileme lindi eksperimenti, transmeton Telegrafi.
Në ditën e parë, ajo iu drejtua kujdestarit të shkollës së fëmijëve. Ajo që nisi me një pyetje të zakonshme, shpejt u kthye në një rrëfim mbi emigrimin dhe familjen.
Kujdestari i tregoi se si kishte ardhur në Kanada, ndërsa historia e tij i solli Chan ndër mend përvojën e prindërve të saj, të cilët kishin emigruar dekada më parë.
Ndonëse e kishte parë vazhdimisht në mjediset e shkollës, ajo kuptoi papritur se pas atij personi qëndronte një histori e tërë. Ky takim do të mbetej ndër kujtimet më të bukura të eksperimentit.
Ditën e dytë, mundësia për të folur me dikë u shfaq ndërsa Chan po priste që vajza e saj të mbaronte kursin e ukuleles. Pranë saj u ul një nënë tjetër dhe ajo e pyeti nëse dita e saj kishte qenë e ngarkuar.
Një pyetje kaq e thjeshtë hapi rrugën për një bisedë të natyrshme rreth fëmijëve, lodhjes dhe vështirësive të prindërimit. Të dyja qeshën dhe u larguan me përshtypjen se, në takimin e ardhshëm, me shumë gjasa do të bisedonin sërish.
Nuk ndodhi asgjë e pazakontë, por pikërisht këtu qëndronte thelbi: afrimi me një person tjetër nuk varet domosdoshmërisht nga një bashkëbisedim i gjatë.
Përpjekja e ditës së tretë ndodhi në këndin e lojërave, ku Chan iu afrua një babai që po kujdesej për vajzën e vogël.
Komunikimi përfundoi shpejt, pasi vëmendja e tij ishte e përqendruar te fëmija dhe rrethanat nuk e favorizonin një bisedë më të gjatë. Megjithatë, ajo nuk e konsideroi këtë një dështim.
Nga ajo përvojë kuptoi se jo të gjithë kanë dëshirë ose mundësi të komunikojnë në një moment të caktuar, dhe se kjo është plotësisht normale.
Në një rast tjetër, një qen u bë shkak për një takim të këndshëm mes Chan, vajzës së saj dhe një çifti të moshuar. Vetëm pak minuta u mjaftuan për të krijuar një ndjesi afrimiteti.
Në palestër, ndërkaq, nisma rezultoi më e vështirë. Shumica e njerëzve mbanin kufje dhe ishin të përqendruar tek ushtrimet, ndaj Chan mundi të shkëmbente vetëm disa fjalë me një punonjës.
Edhe kjo përvojë i tregoi diçka: disa mjedise e nxisin komunikimin më lehtë, ndërsa të tjera janë më pak të përshtatshme për të.
Një nga episodet që e preku më shumë ndodhi në bibliotekë. Chan dhe fëmijët ndihmuan një grua të moshuar që ndodhej në karrocë, ndërsa prej këtij veprimi të vogël lindi një bisedë për familjen dhe nipërit.
Para se të ndaheshin, e moshuara i tha Chan se ishte një nënë e mirë dhe e këshilloi të vazhdonte atë që po bënte. Fjalët e një gruaje që nuk e kishte takuar asnjëherë më parë i mjaftuan për t’ia zbukuruar të gjithë ditën.
Takimi i ditës së fundit ndodhi në supermarket, afër sektorit të mishit. Chan nisi të fliste me një grua, e cila rezultoi se ishte kuzhiniere profesioniste.
Ajo i tregoi si mund të dallonte pjesë të ndryshme të mishit dhe çfarë duhej të shikonte për të zgjedhur një biftek të mirë. Më pas, vajza e Chan i tha se kishte bërë mirë që i kishte folur asaj gruaje.
Në atë çast, gazetarja dalloi edhe një dobi tjetër të takimeve të rastësishme: personat që ndeshim gjatë ditës mund të zotërojnë njohuri që nuk do t’i merrnim kurrë, nëse nuk do t’u drejtonim qoftë edhe një fjalë.
Psikologët i quajnë kontakte të tilla “lidhje të dobëta”. Ato nuk kanë afërsinë e marrëdhënieve familjare apo të miqësive, por përsëri mund të japin një kontribut pozitiv në mirëqenie.
Sipas psikologut Harry Cohen, ndërveprimet e vogla shoqërore mund të pakësojnë vetminë, të përmirësojnë humorin dhe të forcojnë ndjenjën se i përkasim një komuniteti.
Psikoterapistja Terri Cole përmend gjithashtu një studim, sipas të cilit njerëzit që komunikuan me një të panjohur gjatë udhëtimit me autobus ose tren raportuan humor më të mirë krahasuar me personat që qëndruan vetëm.
Në përfundim të shtatë ditëve, Chan nuk kishte krijuar shtatë miqësi të reja dhe jeta e saj nuk ishte transformuar në mënyrë rrënjësore. Ajo që kishte ndryshuar ishte këndvështrimi ndaj njerëzve që e rrethonin.
Tashmë, ajo e priste ditën tjetër me kureshtjen për të zbuluar se kë do të takonte dhe çfarë historie mund të dëgjonte.
Mes të gjitha përvojave, biseda me kujdestarin e shkollës mbeti më e veçanta. Ai kishte qenë prej kohësh aty, por deri në atë moment Chan nuk kishte arritur ta njihte në të vërtetë.
Vetëm pak minuta komunikim kishin bërë që të dy të vijonin ditën me një ndjesi më pozitive.
Cohen këshillon që hapi i parë të jetë fare i vogël: një buzëqeshje, një “mirëmëngjes”, një përshëndetje drejtuar fqinjit ose gatishmëria për t’i ofruar dikujt ndihmë.
Qëllimi nuk është që çdo takim të shndërrohet me detyrim në miqësi, por që të mos shpërfillet ndikimi që mund të kenë kontaktet e shkurtra njerëzore.
Në fund të eksperimentit, Chan kuptoi se largimi nga zona e rehatisë nuk kërkon gjithmonë vendime apo hapa të mëdhenj.
Ndonjëherë, disa minuta të kaluara duke folur me një të panjohur mjaftojnë për ta bërë ditën më interesante, për të ngritur humorin dhe për të na kujtuar se bota ku jetojmë është shumë më e lidhur nga sa mendojmë.
