Nga nesër nis java e vaksinimit e hapur për çdo qytetar +18 vjeç, Manastirliu: Vaksinohuni të jeni më të mbrojtur

Nga nesër do të nisë vaksinimi i hapur për çdo qytetar që është mbi 18-vjeç, për t’u vaksinuar pa kufizim, në çdo qendër shëndetësore. Kështu bën me dije ministrja Ogerta Manastirliu, e cila ka publikuar disa foto nga vaksinimi derë më derë në Bicaj të Kukësit.

”Në Bicaj të Kukësit, ku ekipet tona shëndetësore po vaksinojnë derë më derë, për të mbrojtur sa më shumë qytetarë nga virusi i rrezikshëm COVID-19. Nga nesër, nis java e vaksinimit të hapur për çdo qytetar +18 vjeç, për t’u vaksinuar pa kufizim, në çdo qendër shëndetësore dhe qendër vaksinimi kudo në vend.’- shkruan Manastirliu.

Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga stadiumi “Air Albania”, tha se nis java e vaksinimit të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, të cilët mund të paraqiten me kartën e identitetit në pikën më të afërt të vaksinimit.

“Pas mbërritjes së 340,000 dozave të vaksinave, kemi vendosur të kthejmë sërish ditët e hapura të vaksinimit, sipas planit të vaksinimit dhe rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Do të jenë datat, nga dita e hënë e javës që hyjmë, deri në datë 25 korrik. Do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit për të gjithë qytetarët +18 vjeç, në të gjitha qendrat shëndetësore, në pikat e vaksinimit masiv, duke shkuar edhe derë më derë. Do të jemi në komunitet për të realizuar këtë vaksinim të popullatës +18 vjeç në këtë javë të vaksinimit”, tha Manastirliu, ndërsa ka ftuar qytetarët +18 vjeç të vaksinohen përgjatë këtyre ditëve.

Në vendin tonë kanë mbërritur deri tani 1,578,790 doza vaksine ndaj COVID19 dhe në total janë kryer 1,052,108 doza, prej tyre 455,131 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.


Shtuar 18.07.2021 19:16