Nga ish-spiunët te Kodi Zgjedhor/ Nismat që u propozuan, por nuk u votuan në Kuvend

Seanca plenare e ditës së enjte përmbylli legjislaturën e 10 të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që parlamenti i ri do të mblidhet më datë 10 shtator.

Në seancën e fundit, mazhoranca miratoi e vetme projektligjet, por janë një numër i madh nismash nga PS e PD, të cilat do të mbeten në arkivat parlamentare pasi nuk arritën te procedura e votimit.

Gjatë 4 viteve në sallën e Kuvendit, deputetët folën e propozuan shumë ide, por pak prej tyre e panë kartonin jeshil.

Gjatë legjislaturës që lamë pas, u propozuan 61 nisma, 38 nga opozita dhe 23 nga socialistët.

Demokratët kërkuan me ngulm ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ligjin për dekriminalizimin apo minimumin jetik.

Socialistët kërkuan të largonin nga funksionet publike bashkëpunëtorët e ish- Sigurimit të Shtetit. Të gjitha këto, ligjvënësit i harruan, duke u kthyer në spektatorë dhe votues të nismave nga Këshilli i Ministrave.

Sipas Rregullores së Kuvendit, në shtator, kur të nisë legjislatura e re, nismat e deputetëve aktualë nuk do të kenë më vend në kalendar.

Në seancën përmbyllëse mazhoranca socialiste miratoi me 73 vota, çështjet e parashikuara në rendin e ditës pa asnjë shqetësim duke i dhënë fund mandatit 4-vjeçar të këtij Parlamenti.

Ndërkohë opozita nuk u bë pjesë e procesit të votimit. Seanca kishte 10 çështje për të diskutuar mes të cilave raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit, ndryshimet në buxhet si dhe disa ligje që lidhen me forcat e armatosura apo edhe miratimin e strategjisë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.

Opozita u largua nga salla në nisje të procesit të votimit dhe gjithçka u kalua me shumicën e thjeshtë socialiste.

Në 10 shtator do të mblidhet parlamenti i ri e 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të nisin mandatin për 4 vitet e ardhshme.

Kuvendi aktual mbylli punimet ditën e enjte, por Kryetarja Elisa Spiropali vendosi që bilancin e kësaj legjislature ta bënte nëpërmjet një video-mesazhi në faqen zyrtare të institucionit që ajo drejton.

“Zhvilluam 189 seanca plenare dhe miratuam 521 akte, ndër të cilat 328 ligje, 193 marrëveshje ndërkombëtare, 480 vendime dhe 106 rezoluta”, – u shpreh Spiropali. Kryetarja e Kuvendit renditi disa prej reformave dhe ligjeve kryesore të miratuara në këtë legjislaturë. “Reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore kanë qenë dy sfida që i përballuam gjatë kësaj legjislature. Vota e diasporës si një akt i guximshëm politik dhe ligjor dhe përmirësimet ligjore për financimin e partive politike dhe përcaktimin e kuotave ligjore e bën sistemin dhe procesin ligjor më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë”, – theksoi Spiropali. Ajo falënderoi deputetët dhe qytetarët për mbështetjen dhe angazhimin.


Shtuar 7.07.2025 09:26