Nga gjetja e kokës së groposur në Sarandë te arrestimi i Albi Mecinit, misteri mbi zhdukjen e “Koçoles” dhe Sulovarit

Pjesët e trupit të një njeriu u gjetën mbrëmjen e djeshme, 14 nëntor, në fshatin Xarrë të Sarandës.

Ishin banorët ata që konstatuan pjesët trupore të groposura në fshat dhe lajmëruan menjëherë policinë.

Pasi zhvarrosi pjesët trupore, të cilat ishin ende të padekompozuara, policia i dërgoi në morgun e qytetit, në pritje të ekspertëve mjeko-ligjorë nga Tirana të cilët pritet të mbërrijnë ditën e sotme.

Dyshimet kryesore janë se mund të kemi të bëjmë me pjesë trupore të Fatmir Sulovarit ose Leonard Thodhorit, të zhdukur më 7 prill 2023.

Mësohet se pjesa e gjetur është koka e një njeriu, e cila ka ende inde të buta dhe mendohet se ngjarja është e muajve të fundit.

Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari (Krasniqi) u zhdukën në mënyrë misterioze në Prill të këtij viti, nga Çuka e Sarandës.

Dyshimet e hetuesve janë se ata u rrëmbyen e më pas u vranë. Në kohën kur u zhdukën, autoritetet bënë kontrolle në Xarrë, Vrinë dhe Shëndëlli, por pa mundur të zbulonin fatin e tyre.

Sakaq, më 30 tetor, policia e Fierit parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale dhe vuri në pranga një 29-vjeçar, i cili u kap me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete.

Albi Mecini u arrestua dhe dy bashkëpunëtorë të tij u shpallën në kërkim. Të tre këta shetats në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë edhe autorë të rrëmbimit të Sulovarit dhe Thodhorit.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, Albi Mecini, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim”, njoftoi polcia./albeu.com


Shtuar 15.11.2023 07:33