Nga ekzekutimi i vëllait të Talo Çelës te krimi i porositur nga Suel Çela, zbardhen disa prej ngjarjeve kriminale më të bujshme

Hetimet e SPAK, në kuadër të operacionit “Golden bullet”, në kuadër të të cilët janë lëshuar 32 urdhërarreste, kanë hedhur dritë edhe mbi vrasjen e vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, Bujar Çela si dhe një ngjarje po të madhe, atë të një krimi të porositur nga Suel Çela.

Referuar burimeve të sigurta nga SPAK, gazetarja Anila Hoxha tha për Top Channel, se vëllai i të shumë kërkuarit Talo Çela është ekzekutuar nga shtetasi Besjan Xhixha dhe  një tjetër i shpallur në kërkim.

Si ndodhi atentati në 17 shtator 2020

Vëllai i Talos Çelës, të shumëkërkuarit nga policia, ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri mëngjesin e 17 shtatorit 2020. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:45 në fshatin Bradashesh të Elbasanit përpara një lokali.

62-vjeçari Bujar Çela punonte si taksist pa licencë. Çela u qëllua me armë sapo zbriti nga makina për t’u ulur në një lokal. Ai u ndoq  nga atentatorët, për të cilët asokohe u tha se ishin të paktën 2 persona të maskuar.

Krimi i porositur nga Suel Çela

Suel Çela ishte një ndër emrat e botës së krimit për të cilët SPAK ka firmosur urdhër arreste, ndërsa detaje të reja janë bërë me dije nga Top Channel në lidhje me krimet e porositura nga ai.

Një tjetër krim i porositur nga Suel Çela është ajo e tentativës për të vrarë administratorin e shkollës private Lulzim Masha, për të cilin Top Channel ka raportuar se i arrestuari Skerdi Tase dyshohej si vrasës me pagesë në këtë rast. Tasi nuk ka qenë vetëm në këtë ngjarje, por i shoqëruar nga Hoxhaj.

Atentati ndaj administratorit Lulzim Masha ndodhi më 18 janar 2022 ku një person qëlloi me armë zjarri ndaj makinës së tij. Në lidhje me ngjarjen u arrestua 31-vjeçari Skerdi Tasi i cili u akuzua për “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.

Masha po udhëtonte i vetëm në makinë kur autori ka qëlluar drejt makinës së tij. Drejt tij është qëlluar me 3 plumba, ku 2 prej plumbave kanë kapur makinën tip “Benz” me të cilin po lëvizte Masha.