Bisedat sekrete në programin SKY konfirmuan me faktë tashmë atë që perceptohej gjerësisht në publik se Policia e Shtetit është kthyer në një zombi, e cila vetëm trupin ka të vetin, kurse veprimet kontrollohen nga grupet kriminale.
Siç ka raportuar AlbEu deri më tani duke iu referuar dosjes hetimore, përfshirja e drejtuesve të lartë të policisë me bandat duke iu shërbyer atyre si argat kundrejt pagesave mujore është faqja e zezë e shtetit shqiptar dhe mesazhi i fortë se të paktën Policia e Shtetit duhet të shkrihet tërësisht dhe duhet ndërtuar një strukturë tjetër, e pakapur kryekëput nga krimi.
Skena të tilla, ku drejtues të Policisë së Shtetit janë kthyer në shërbëtorë të krimit, kanë ndodhur edhe në botë, madje janë bërë edhe filma, por në fund fare shteti ka reaguar duke ndëshkuar ata që kanë tradhtuar besimin e qytetarëve, por mbi të gjitha, gjakun e kolegëve të që kanë rënë gjatë përballjes me kriminelët.
Nëse dy javë më parë, shkuarja e Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme dukej një operacion pas përplasjeve të brendshme në PS, tashmë, pas shpërthimit të skandalit me bisedat sekrete duket qartësisht se përse ai u emërua nga Rama në krye të rendit.
Nëse nuk është emëruar për të minimizuar pasojat e “tërmetit” që po ndodh, Ballës i mbetet të kryejë një mision të rendësishëm për Policinë e Shtetit: Shkrirjen totale dhe rindërtimin e saj.
Tashmë ai i ngjan një kirurgu, që shkon përballë një trupi të shtrirë në sallë dhe duhet të vendosë nëse do të bëjë nje operacion total duke prerë pjesë të trupit të kalbëzuar apo operacion lokal, me rrezikun që infeksioni të përhapet sërish.
Deri më tani nuk ka asnjë lëvizje në rangjet e policisë, por ajo çfarë po ndodh tregon qartë se furtuna do të nisë, pyetja është se sa thellë do ta fusë bisturinë Balla. /albeu.com