Nga dhuna, droga dhe vjedhjet, 8 të arrestuar në Tiranë

Policia ka vënë në pranga 8 shtetas në Tiranë për vepra të ndryshme penale, duke filluar nga dhuna në familje, droga dhe vjedhjet.

Njoftimi i policisë:

Vihen në pranga 8 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. D., 34 vjeç, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar në mënyrë të parregullt mjetin e tij, në të cilin, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sattiva, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike ekstazi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– T. Xh., 34 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës;

– Y. B., 36 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, pasi ka përvetësuar disa laptopë të vjedhur;

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 54 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– S. Ç., 38 vjeç, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, duke dalë nga rruga, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes;

– A. Sh., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar mjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin e mitur T. T., 17 vjeç, që udhëtonte me biçikletë, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;

– M. K., 19 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar mjetin e tij, është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin A. B., i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;

– A. S., 32 vjeçe, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur.

—-

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan penalisht shtetasit A. B., 29 vjeç dhe B. Sh., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte, për motive të dobëta, shtetasin A. H., 38 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com

Shtuar 18.01.2022 14:51