Agim R., 52 vjeç jeton në një lagje periferike të qytetit të Korçës. Një muaj më parë ai shkoi në gjendje të rënduar shëndetësore në urgjencën e spitalit rajonal për shkak të intoksikimit nga alkooli. 52 vjeçari pohon që ka varësi nga alkooli, por asnjëherë më parë nuk i kishte ndodhur që të helmohej.
“Thuajse çdo ditë konsumoj alkool në një lokal tek lagjja dhe nuk kisha pasur probleme. Një muaj më parë përfundova në spital. Më kujtohet që kam pirë vodkë dhe konjak, por nuk di të them sasinë që konsumova. Pasi ndenja disa orë në urgjencë më nisën me ambulancë drejt Tiranës sepse gjendja u përkeqësua për shkak edhe të problemeve me zemrën.”- kujtoi ai.
Stina e verës ka shtuar ndjeshëm rastet e personave të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore pranë Spitalit Rajonal të Korçës, si pasojë e konsumit të pijeve alkoolike të pakontrolluara apo në sasi të mëdha. Në shumicën e rasteve ata marrin ndihmën e parë mjekësore në urgjencë dhe nuk paraqesin komplikacione, por nuk mungojnë as rastet më të rënduara kur pacientët nisen drejt Tiranës.
Mjekja e Shërbimit të Urgjencës në spitalin e Korçës, Paola Vasili tha se gjatë verës rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të konsumit të alkoolit.
“Përdorimi i alkoolit nga moshat e reja ka pësuar rritje të frikshme. Pranë shërbimit të urgjencës pothuajse çdo ditë paraqiten të rinj në gjendje të dehur, përdorues jo të rregullt alkooli“, – tha ajo.
Vasili thotë se veç sasisë së madhe të konsumuar arsye për helmim është edhe “cilësia e produkteve të konsumuara”, që shpesh bëhet shkak për rastet e helmimit nga alkooli.
Spitali Rajonal i Korçës prej kohësh përballet me mungesën e mjekëve të specializuar toksikologë çfarë detyron këtë institucion që pacientët në gjendje të rënduar t’i dërgojë drejt Tiranës.
Drejtori i spitalit të Korçës Litian Broka tha se në mungesë të mjekut toksikolog, rastet e helmimeve nga alkooli trajtohen nga mjekët e urgjencës dhe kur është e nevojshme pacientët nisen drejt QSUT për mjekim të specializuar.
Prania e produkteve të pakontrolluara nuk duket vetëm në dyert e spitalit, ku përfundojnë pacientët e helmuar. A.M, ish-menaxheri i shitjeve të një prej kantinave të licencuar në Korçë, që kërkoi të mos identifikohej, i tha BIRN se veç rakisë artizanale, lokalet sidomos ato në periferi tregtonin vazhdimisht pije me ngjyrë të prodhuara në bodrume dhe të pakontrolluara.
“Në shumicën e rasteve këto biznese një pjesë të furnizimit e merrnin nga kantinat dhe pjesën tjetër nga prodhuesit informalë. Në lokalet e periferisë dhe ato brenda lagjeve dominojnë pijet alkoolike të prodhuesve informalë.”- shpjegoi ai, ndërsa shtoi se pijet me konsum më të lartë në qytetin e Korçës janë vera, rakia, konjaku, fërneti dhe vodka.
Por institucionet përgjegjëse për kontrollin ushqimor duken të dorëzuara ndërsa pasojnë përgjegjësitë te njëra tjetra.
“AKU si autoriteti kompetent në vend për garantimin e sigurisë ushqimore ushtron aktivitetin e tij, duke kryer kontrolle vetëm në subjekte të regjistruara, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e ushqimit”, tha AKU në përgjigje të një kërkese për informacion.
Policia e Korçës, e cila duhej të hetonte rastet e prodhimit të paligjshëm, nga ana e saj thotë se pret sinjalizimet nga AKU.
“Është detyrim i AKU të sinjalizojë dhe japë informacion në raste të konstatimit të prodhuesve të paligjshëm të alkoolit”, tha policia.
Nga bodrumet në tavolinë
Prodhimi i pijeve alkoolike në qytetin e Korçës ka një historik të hershëm që nis me ndërtimin e Kombinatit të Sheqerit në Maliq rreth viteve ‘60, pjesë e të cilit ishte edhe Fabrika e Alkoolit ku prodhimi kryesor ishte vodka, e cila njihet si pija më popullore në kohën e komunizmit.
Më pas në qytetin e Korçës u hap Fabrika e Pijeve dhe Konservimit, ku gama e prodhimeve ishte mjaft e gjërë dhe një pjesë e tyre siç ishte konjaku “Skënderbeu” e bënë të njohur Korçën dhe Shqipërinë e periudhës komuniste në vende të ndryshme të botës.
Korça ka pasur traditë të hershme të prodhimit të konjakut. Rreth vitit 1870, inxhinieri Theodhoraq Kondakçi themeloi Shtëpinë Industriale në Korçë, ku nisi të prodhonte konjak me një formulë që e kishte trashëguar nga i ati.
Gjatë periudhës së komunizmit industria e prodhimit të alkoolit u zgjerua edhe më shumë me produkte të tjera siç ishin rakia, vodka, fërneti dhe likeri. Në këtë kohë Korça njihej jo vetëm si prodhuese, por edhe si një zonë me konsum të lartë alkooli në shkallë vendi për shkak të dimrit të gjatë dhe të ashpër.
Pas ndryshimit të sistemit vetëm teknologët ushqimorë të fabrikave dhe kantinave arritën të punësohen në subjekte private të prodhimit të pijeve alkoolike tradicionale të zonës, ndërkohë që një pjesë e mirë e ish-punonjësve e shfrytëzuan eksperiencën e tyre për të prodhuar pijet në kushte shtëpie, kryesisht në bodrume.
Avni Xh. 70 vjeç, së bashku me motrën e tij kanë më tepër se 20 vite që prodhojnë dhe tregtojnë pije alkoolike që i prodhojnë në shtëpi.
Ata kanë përshtatur në ambientet e shtëpisë së tyre private, një hapësirë për të prodhuar pije të ndryshme alkoolike, por kryesisht konjak të cilin më pas e shesin në bare. 70 vjeçari thotë se ai dhe motra e tij dikur kanë qenë punonjës të fabrikës së konjakut në Korçë, e njohur për prodhimin e konjakut “Skënderbeu”.
Pas mbylljes së fabrikës, ata vendosën që të vazhdonin profesionin duke hapur vetë një minikantinë dhe gradualisht kërkesa për prodhimin e tyre nisi të rritej. Sot ata furnizojnë dhjetëra lokale lagjesh ndërsa Avniu tregon se klientela ju drejtua vetë për shkak të eksperiencës së gjatë në fabrikën e dikurshme të konjakut. Pavarësisht se prodhimi dhe tregtimi i pijeve alkoolike në Korçë është jashtë çdo kontrolli, ai garanton se pijet janë cilësore dhe nuk paraqesin asnjë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
“Motra ime është e vetmja në Korçë që di formulën e prodhimit të konjakut “Skënderbeu”, ndaj kemi pasur vazhdimisht punë dhe nuk kanë munguar klientët. Të gjithë e dinë që ajo ka punuar aty dhe ne kemi ruajtur të njëjtën mënyrë prodhimi. Nuk jemi të shqetësuar se mund të na vijnë kontrolle dhe të na mbyllin, por frika e vetme është që pronarët e lokaleve që marrin pijet tona nëse kontrollohen nga inspektorët mund të na ekspozojnë.”- tha ai.
Konjaku, fërneti dhe vodka janë tre produktet kryesore që kërkohen kryesisht në lokalet e lagjeve ndërsa sipas Avniut konsumi i tyre rritet disa herë më shumë në stinën e dimrit.
“Tani në verë mund të tregtoj 20-30 litra konjak në javë, por dimri ka më shumë kërkesë. Nuk ka një sasi fikse, varet si është kërkesa sepse ka ndodhur që kaq litra mund t’i kem shitur edhe brenda së njëjtës ditë”- shpjegoi ai duke shtuar se klientët e tij i kanë treguar që konjaku dhe fërneti janë dy prej pijeve që preferohen të konsumohen më së shumti në mëngjes, shoqëruar me kafe.
Mungesa e kontrollit sjell pasoja
Pavarësisht se prodhimi i pijeve alkoolike në mënyrë artizanale është fakt i njohur, institucionet që kontrollojnë sigurinë ushqimore, shprehen se nuk kanë tagër për të vepruar mbi to. Vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pohon se prodhuesit e palicencuar të pijeve alkoolike nuk janë objekt i punës dhe veprimtarisë së këtij institucioni. AKU ushtron kontrolle të vazhdueshme tek prodhuesit e licencuar dhe tek njësitë e shërbimit që i tregtojnë ato.
“Subjektet e pa regjistruara nuk janë objekt kontrolli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.” – sqaron AKU në përgjigjen e kërkesës për informacion.
AKU thotë se në subjektet me licenca ata kanë bërë 6 kontrolle dhe nuk kanë gjetur shkelje të rënda. E vetmja parregullsi e konstatuar ka qenë në lidhje me sistemimin e pijeve në njërin prej subjekteve për të cilin AKU ka vendosur masën administrative “paralajmërim”.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik, i cili luan një rol të rëndësishëm për të mbrojtur shëndetin e popullatës, thotë se nuk i ka në objektin e punës prodhuesit e alkoolit artizanal.
“Sa i përket pijeve alkoolike të prodhuara në mënyrë ilegale, të palicencuara apo artizanale, ato nuk janë në kompetencat e Institutit të Shëndetit Publik”- thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion.
Kodi Penal parashikon i vepër penale i prodhimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të produkteve industrial dhe ushqimore sipas nenit 288 dhe 288/a, ngarkon Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese me përgjegjësinë për identifikimin dhe ndëshkimin e prodhuesve dhe tregtuesve informal.
Por policia e Korçës bën të ditur se gjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë rast të procedimit për këto dy vepra penale ndërsa ia kalon përgjegjësitë AKU, që sipas policisë duhet të sinjalizojë dhe japë informacion në raste të konstatimit të prodhuesve të paligjshëm të alkoolit.
Mjekët e spitalin të Korçës nga ana tjetër janë të shqetësuar se kjo mungesë kontrolli dhe alkooli i lirë në qarkullim, po sjellin më shumë raste të toksikuarish që shpesh rrezikojnë jetën.
Mjekja Paola Vasili thotë se sidomos të rinjtë duhet të tregojnë kujdes dhe t’i shmangen trendit të rrezikshëm që konsumin e pijeve alkoolike e ndërthurin dhe me atë të narkotikëve.
“Përdorimi i alkoolit sidomos në ditët e nxehta të verës rrit dehidrimin, shkakton rritje të vlerave të presionit arterial, atake kardiake, probleme të trurit si humbje të kujtesës vështirësi në të folur”, përfundoi ajo.