Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zhvillojë nesër, në orën 09:30, seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Ai u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepatit, në Durrës.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala për BalkanWeb, arrestimi i Agasit erdhi pas një operacioni të SPAK-ut, ndërsa ai kishte qëndruar për muaj në kërkim dhe ishte mbajtur nën vëzhgim nga autoritetet për dy javë. Ndaj tij rëndojnë dyshime për grup kriminal, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Të lidhura
None found
Në pranga përfundoi gjithashtu edhe Ulian Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë. Agasi, i konsideruar shumë i kërkuar nga SPAK, u kap 8 muaj pas shpalljes në kërkim. Ai dyshohet se drejtonte një grup kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku tendera me vlerë miliona euro paracaktoheshin dhe fondet përfundonin në llogaritë e kompanive të biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar në Francë.
Automjeti ku udhëtonte Agasi së bashku me Shpatarakun u identifikua fillimisht në Elbasan. Me orientimin e prokurorëve të posaçëm, policia bllokoi rrugët kryesore dhe nisi ndjekjen e mjetit. Kur makina, e drejtuar nga Shpataraku, mbërriti në zonën e Plepatit në Durrës, e njohur për popullsinë e dendur dhe trafikun e lartë, ajo u rrethua nga Forcat e Posaçme Operacionale.
Pas arrestimit, automjeti iu nënshtrua një kontrolli të detajuar. Agasi dhe Shpataraku kishin me vete nga 4 mijë euro. Një pjesë e detajeve të operacionit vijojnë të mbeten tepër sekrete, ndërsa aksionit i kishte paraprirë bllokimi, disa kohë më parë, i një automjeti Land Rover Defender në garazhin e një vile në Equos Resort.
SPAK e kishte shpallur Ergys Agasin në kërkim për konkurrencë të paligjshme, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, pastrim parash dhe grup kriminal. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë nxjerrë dyshimin se ai, në bashkëpunim me Ermal Beqirin, kishte ngritur një grup kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe urdhëronte rrëmbimin e kundërshtarëve në biznes, me synimin që këta të tërhiqeshin nga tenderat. Për këtë aferë po hetohen Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoreshë e AKSHIT, ish-zëvendësja e saj, disa biznesmenë dhe zyrtarë të lartë policie.
