Nesër fillojnë negociatat për rritjen e pensioneve në Maqedoninë e Veriut

Sindikata e pensionistëve vlerëson se paralelisht me rritjen e pagës minimale dhe mesatare, nga 1 prilli duhet të rriten edhe pensionet për shkak të gjendjes së keqe që është shkaktuar nga kriza ekonomike, shëndetësore dhe energjetike. Sindikata kërkon që të paguhen edhe kovid pako për pensionistët vlera e së cilës do të jetë më e lartë për pensionistët me pensione më të ulëta.

“Para ndryshimeve të Ligjit në vitin 2018, raporti mes pensionit mesatar me neto pagën mesatare në RM ishte mbi 60%. Nëse e marrim si shembull pagesën e pagës mesatare për muajin nëntor të vitit 2021, pensioni mesatarë është dashur të jetë 17 478 denarë”, thanë nga Sindikata e Pensionistëve.

Pensionistët thonë se pensionet nuk u mjaftojnë për fatura, medikamente dhe ushqim.

“10 800 denarë pension. Kompania falimentoi, mbetëm në rrugë dhe çfarë do të më mbetet”.

“Atyre me pensione më të ulëta tu jepet më shumë se atyre me pensione më të larta”.

“Gjithçka është shtrenjtuar, pensionet diçka janë rritur. Sa janë rritur pensionet? 2,9 ashtu diçka. Me atë rritje a arrini që të mbuloni shtrenjtimin e produkteve? Mundem të paguaj vetëm një pjesë të faturës për energji elektrike”.

Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së kanë parashtruar zgjidhje ligjore me të cilën kërkojnë rritje të shumës totale të gjithë llojeve të pensioneve për muajin prill për 20%, që do të ndahet me numrin e përgjithshëm të shfrytëzuesve të pensioneve. Shtojnë se Kovaçevski është hipokrit ndaj pensionistëve, për shkak se dje shumica parlamentare nuk ka mbështetur propozimin e tyre.

“Hipokrizia e LSDM-së e arriti kulmin. Shumica parlamentare e tregoi fytyrën e saj të vërtetë dhe votoi kundër rritjes dhe harmonizimit të pensioneve”, tha Dafina Stojanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Pensione më të larta, ishte një prej premtimeve të kryeministrit Kovaçevski. Këtë e rikujtuan sot edhe nga LSDM-ja.

“Vijon rritje e madhe e pensioneve pasi me harmonizimin e rregullt muajin e kaluar ato u rritën për 2,9%. Metodologjia e re për pensione më të larta do të sillet përmes dialogut me të gjitha palët e prekura, që do të fillojë nesër”, u shpreh Lidija Tasevska, deputete e LSDM-së.

63.636 persona janë shfrytëzues të pensioneve minimale prej 10. 487 denarëve deri në 11. 703 denarë. Kjo do të thotë se çdo i pesti pensionist merr pension prej 11.703 denarëve. Te pensioni mesatar, ndryshimi i pensionit të bujqve është 97 denarë, përkatësisht në janar ky pension ishte 8.167 denarë, ndërsa në dhjetor 8.264 denarë. Nëse bëjmë krahasim me vendet e Ballkanit perëndimor, pensionistët e Kosovës marrin pension më të ulët prej 90 deri 627 euro, ndërsa në Serbi prej 136 deri 1.258 euro.

PENSIONET NË RAJON

-Serbi pensioni minimal-136, maksimal 1.258 euro

-Kosovë pensioni minimal 90, maksimal 627 euro

-Mali i Zi pensioni minimal 147, maksimal 1.110 euro

-Maqedonia e Veriut pensioni minimal 170, maksimal 938 euro/ TV 21/