“Nëse lojtarët nuk do të më ndiqnin, atëherë unë do të ikja vetë”, Vanoli bën “autogol”

Dinamo ose ndryshe “PSG e Superiores”, siç ne e etiketuam në merkaton e verës para se të niste ky sezon. Presidenti Bardhi e bëri punën e tij në përsosmëri në nisje, madje për një moment duke u shndërruar si “sheik”. Megjithëse kryeqytetasit vinin nga Kategoria e Parë, mjaftonte një emër lojtari i kërkuar, ku shpeshherë haste konkurrencën e Partizanit dhe Tiranës, e firma hidhej te Dinamo.

Pjesa tjetër është histori, por e keqe. E në momentin kur Vanoli erdhi në kryesim të Dinamos, sigurisht që ishte i fundit që mund të kritikohej. Këtë e dinte mjaft mirë edhe vetë italiani, që përfitoi jo pak nga kjo rehati. Dinamo e kishte marrë rrugën drejt mbytjes, të paktën për këtë sezon. Nëse Vanoli do të arrinte diçka për mbijetesë do të quhej mrekulli e Zotit. Në të kundërt, asgjë për t’u shqetësuar. Një pozitë e tillë është më shumë sesa luks për trajnerët që qëndrojnë me valixhe në duar, ndërsa në Shqipëri shkarkohen edhe kur arrijnë objektiva, paradoksalisht.

Por situata nis të teprohet me Vanoli për vetë mënyrën sesi shprehet në konferencën për shtyp, më saktësisht pas ndeshjes së sotme së humbur me Partizanin që ishte me 10 lojtarë për më shumë se 45 minuta. Tanimë ekipi i tij numëron humbje e 6 në 6 ndeshjet që kur ka ardhur ky trajner. “Janë situata normale në futboll, me rëndësi që të kemi ndërgjegjen e pastër”, do të shprehej tekniku për të thumbuar paraardhësit e tij.

Autogoli më i madh ishte kur italiani u shpreh se nuk pret ta shkarkojnë, por do të largohej vetë nëse shihte se lojtarët e tij nuk e ndiqnin. “Nëse lojtarët nuk do të më ndiqnin, atëherë unë do të ikja vetë dhe do t’i thoja presidentit”. Menjëherë të vjen në kujtesë skena e paprecedent dhe jo shumë e largët, kur autobusi i iku Dinamos dhe e la në Elbasan. Nëse ky rast nuk ishte i mjaftueshëm që trajneri të largohej vetë, çfarë mund të pritet mq shumë?

Lojtarët e ndjekin? Ndoshta në këmbë teksa po vinte drejt Tiranës dhe pa autobus, pasi rezultatet tregojnë të kundërtën në fushën e lojës. Nëse është i shfajësuar dhe nuk kërkon asnjë peshë faji për këtë dramë të Dinamos, të paktën duhet t’i kursejë tifozëve dhe opinionit sportiv sedrën dhe fytyrën e vendosur në këtë moment. Kjo është e fundit! /Sport Ekspres/


Shtuar 30.04.2022 10:04