Nënshkruhet marrëveshja për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë

Në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, u nënshkrua sot marrëveshja mes Kolegjit të Europës, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë dhe do të garantojë funksionimin e plotë të Kolegjit, duke nisur që prej këtij viti akademik deri në përfundimin e kampusit të ri.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini u shpreh se ka patur një interes shumë të lartë nga ana e të rinjve për të zhvilluar studimet në këtë Kolegj: “Viti akademik do të nisë në shtator me 31 studentë, me një Program të nivelit master për transformimin dhe integrimin europian me fokus të veçantë në Bashkimin Europian dhe Ballkanin perëndimor. Çelëm procesin e pranimit në tetor dhe sot mund të raportoj se kemi marrë 241 aplikime, për 31 vende, nga 41 kombësi, nga i gjithë rajoni, nga vendet e BE-së dhe 15 të tjera.” – u shpreh ajo.

Kolegji i Europës hap një horizont të ri edukimi për të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm, si ngre në një tjetër nivel sfidën për ndërkombëtarizimin e universiteteve tona, duke krijuar ndër të tjera mundësinë për një mësim më të thelluar për vetë Bashkimin Europian dhe rrugëtimin drejt tij.


Shtuar 29.02.2024 12:20