Sot, bëhet një muaj nga ngjarja tragjike jashtë shkollës “Fan Noli”, ku u vra me thikë 14-vjeçari Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij.
E teksa sot bëhet një muaj nga vdekje tragjike, këtë të mërkurë, qytetarët janë ngritur sërish në protestë.
Ata kërkojnë drejtësi për Martinin dhe më shumë siguri në shkolla.
Fillimisht, ata kanë shkuar pranë shkollës Fan Noli ku kanë vendosur tëndafila dhe kanë ndezur qirinj në derën e shkollës.
Në fjalën e saj, mamaja e Martinit, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë atyre që nuk mbrojtën dot vogëlushin e saj.
Nëna e Martinit, kërkoi dorëheqjen duke nisur nga institucionet e shkollës të cilat nuk funksionuan deri tek ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu dhe Edi Rama të cilët i bëri përgjegjës për humbjen e adoleshentit.
“E kam rritur me vuajtje. Por ma morën endrrat, shpresën, jetën, më morën gjithçka që kisha. Kërkojmë me shpirt të japin gjithë dorëheqjen nga dera e shkollës deri në ministri deri te Edi Rama. Kush nuk e mbrojti Martinin. Martini ishte i qeshur dhe i përpiktë në gjithçka. Të hiqet ministrja. Dua dorëheqjen e ministres. Ku ishte mësuesja kujdestare. Nuk bënë asgjë për ti ndarë me Marion. Dua drejtësi për Martinin dhe Luisin.
Luisi është djali im tani. Shyqyr na fali zoti atë. Të japë dorëheqjen ai që nuk është i aftë për punën. E kam rritur me vuajtje kam qëndruar pa punë vetë vetëm që ta rris dhe ta edukoj Martinin. Por ma morën, ja morën ëndrrat. Ma morën shpresën, më morën jetën gjithcka që kisha. Kërkojmë me thellësinë e shpirtit të japin të gjithë dorëheqjen, kushdo që nuk e mbrojti Martinin.
Ishte një fëmijë i buzëqeshur, nuk kam fjalë ta përshkruar. Ishte i veçantë, kishte ëndrra të mëdha, shkonte çdo ditë në ndeshje, kishte ëndrra thoshte “Do të bëhem si Ronaldo”. Nuk ishte ashtu si shkoi kjo historia, vetëm lot kam, vetëm qaj dhe rënkoj. Ku janë nënat, nuk jam vetëm nëna e Martinit, por e gjithë fëmijët. Zemra ime është e thyer, por Martinat e tjerë të mbrohen”, tha nëna e Martinit.