Diten e sotme, Shqipëria shënon një tjetër moment historik në Procesin e Integrimit Evropian, çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grupkapitullin e parë.
Kryeministri i vendit Edi Rama, ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.
Në një prononcim për mediat nga Luksemburgu, Rama tha:
“Do ta bëjmë gati Shqipërinë për BE-në brenda 2030. Eshtë mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht nga moti gri i Luksemburgut.
Ndihemi vërtet shumë, shumë të emocionuar dhe shumë të inkurajuar, që më në fund fillojmë me pjesën më të rëndë të punës, e cila zbaton hapjen e kapitullit “Themeloret”. Kapituj konsistent, plus 3 kriteret që do përfundojnë brenda afatit tonë shumë ambicioz”.
Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për Grupkapitullin e parë.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç, në proceset integruese të një vendi për në BE.
Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare.
Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.
Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 35 kapituj negociues (fushapolitikash). Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij.
Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, për hapjen e negociatave me Shqipërinë.