Shumë pikëpyetje, shumë dilema mbi “kokën” e drejtuesve bardhezi të cilët deri tani mund ta quajnë në heshtje si të dështuar sezonin dhe vetëm Scudetto me Kupën e Italisë mund ta shpëtojnë. Një situatë e tillë ka shtuar zërat për shkarkimin e Pirlos, një rikthim të Allegrit dhe më e rëndësishmja, largimin e Cristiano Ronaldos.
Për të qetësuar ujërat e trazuar te “Zonja e Vjetër” mendon Zv/presidenti Pavel Nedved I cili fillimisht sqaron se kush do të jetë trajneri I ardhshëm.
“Pirlo do të jetë këtu me ne me 100% edhe sezonin tjetër. Kemi nisur një projekt dhe e denim që do të kishim vështirësi, donim të bënim diçka më shumë këtë vit por nuk ia arritëm.”
Pas Pirlos, drejtuesi juventin qetëson edhe tifozët mbi të ardhmen e CR7.
“Cristiano për mua nuk preket, ka një kontratë deri në vitin 2022 dhe do të qëndrojë ndërsa ajo që do të ndodhë më pas duhet ta shikojmë. Ronaldo si në aspektin e nivelit teknik dhe imazhit na ka dhënë një shtysë të madhe drejt olimpit të futbollit. Nuk mund të diskutohet duke parë më shumë se 100 gola në 120 ndeshje dhe ndërkohë është një profesionist I vërtetë, një lojtar modern”.
Lidhur me merkaton, Nedved la të kuptohej që I sakrifikuari mund të jetë Dybala i cili ka oferta dhe për të cilin ndryshe nga Ronaldo nuk dha garanci teksa shtoi se çdo mundësi në merkato do të vlerësohet. Në fund dhe fjalë të mira për Sarrin me Allegrin dy ish trajnerë të zotë të cilësuar nga ish mesfushori ndërsa për Conten u shpreh se është fitues dhe aktualisht me renditjen e sotme në Serinë A sipas tij, Antonio e ka detyrim fitoren.
Një lëvizje e zgjuar kjo e Nedved që kalon presionin nga Interi dhe e largon nga skuadra bardhezi që gjithsesi nuk e ka ngritur flamurin e bardhë.