Për herë të parë, Shqipëria ka filluar përdorimin e injeksioneve që parandalojnë humbjen e shikimit te foshnjat e lindura para kohe. Sipas okulistëve, kjo ndërhyrje nuk u nevojitet të gjitha bebeve. Identifikimi i saktë i fëmijëve prematurë që zhvillojnë probleme në sy dhe mund të përfitojnë nga trajtimi realizohet përmes bashkëpunimit mes mjekëve të materniteteve dhe specialistëve të shërbimit okulistik në QSUT.
Okulistja e QSUNT-së, Alketa Tandili, shpjegoi se injeksionet intravitreale veprojnë kundër neovaskularizimit që shfaqet te disa fëmijë të lindur para kohe. Në grupin e rrezikuar përfshihen foshnjat që vijnë në jetë para javës së 32-të, peshojnë më pak se 1500 gramë, kanë marrë oksigjenoterapi për një periudhë të gjatë, kanë kaluar anemi të thellë ose janë trajtuar me gjak.
Të lidhura
None found
Periudha emergjente për ndërhyrje është java e 5-të ose e 6-të pas lindjes. Edhe aplikimi i vetëm një injeksioni mund ta shmangë verbërinë, ndërsa vetëm në raste të rralla mund të nevojiten dy injeksione.
Në Shqipëri evidentohen çdo vit 12 raste të foshnjave premature me probleme të shikimit. Mjekët bëjnë të ditur se, kur shqetësimi zbulohet që në ditët e para të jetës, rikuperimi i bebeve është 100%, duke parandaluar verbërinë. Ky lloj injeksioni përdoret në Europë dhe Amerikë që prej vitit 2019.
