“Ne rrisim investimet në ujësjellës-kanalizime, ju humbjet!” Rama: Bashkia Vlorë “kampione”

Kryeministri Edi Rama pas helmimit të rreth 600 qytetarëve në Krujë nga uji i pijshëm, ka zhvilluar një takim me kryebashkiakët për analizën e performancës së sektorit ujësjellës – kanalizimeve.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se janë akorduar mbi 1 miliardë euro për këtë sektor, dhe ndërsa investimet rriten, rriten dhe humbjet.

Sipas Ramës, Bashkia Vlorë është “kampione” për humbje, me 78.9%.

“Në rreshtin mes nesh janë ata që e kanë shoqëruar këtë proces investimesh në ujësjellës. Këtu kam një tabelë për investimet e bëra nga qeveria shqiptare nga viti 2014 dhe të vendosura aktualisht deri në vitin 2013 ku hyjnë fondet e buxhetit të shtetit dhe fondet e akorduara nga partnerët të cilat ju kujtoj që janë kredi që duhen paguar. Shuma që këto dy detyrime që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion është mbi 1 mld euro. Që të jemi të saktë, mbi është faktikisht 1 mld e afro 200 mln euro. Këtu kam tre pyetje për ju si kryetarë bashkish.

A jeni në dijeni të performancës së ujësjellës kanalizimeve në bashkinë tuaj të shërbimit që ofrojnë për qytetarët. E keni parë ndonjëherë që është përtej çdo logjike. Dhe pyetja e tretë, sa fonde keni alokuar nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë. Faktit flasin vetë dhe fakti i fundit që ishte si pika që ka përmbysur këtë kupë është fakti që ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet dhe pastaj qytetarët me të drejtë ankohen.

Rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve. Duhet të përputhet me një ulje të humbjeve dhe sens përgjegjësie për atë gropë që i është hapur mu në zemër këtij shteti nga keqadministrimi i ujit për 30 vite që nuk mbyllet dot menjëherë por në nivelin e administrimit nuk po jep shenja që nuk ka tendencë të zgjerohet. Kam listën këtu dhe nuk po hyj t’i marr me radhë. Kampioni bashkia e Vlorës, 78.9% humbje”, tha Rama./albeu.com

 

 


Shtuar 29.10.2021 12:58