Në nisje të protestës së opozitës, deputeti i PD-së Belind Këlliçi, ka bërë një paralajmërim të fortë për forcat e rendit. Këlliçi ka deklaruar se opozita nuk ka asnjë qëllim që të cenojnë asnjë nga efektivët e policisë.
Por më tej, deputeti demokrat paralajmëroi forcat e rendit, teksa tha se çdo reagim dhe dhunim ndaj qytetarëve protestues, do të marrë përgjigjen e tyre.
“Nuk kemi për qëllim, tendencë apo objektiv të cenojmë as edhe një oficer të rendit publik, as edhe t’i cenohet fija e flokut as edhe një zyrtari të Policisë së Shtetit, por çdo reagim dhe dhunim ndaj qytetarëve protestues do të ketë pa diskutim edhe përgjigjen proporcionale nga ana jonë”, shtoi Këlliçi.
Sa i përket protestës, ligjvënësi tha se është bashkimi i qytetarëve që janë kundër korrupsionit, hajdutërisë dhe vjedhjeve të qeverisë.
“Është protesta e radhës që është njoftuar nga ana e Partisë Demokratike për një kauzë që bën bashkë demokratë, socialistë, qytetarë të ndershëm me apo pa parti kundër korrupsionit, hajdutërisë dhe kundër vjedhjeve të përditshme që i bëhen xhepave të qytetarëve shqiptarë dhe buxhetit të shtetit nga ana e kryeministrit Edi Rama dhe e bandës që ai ka sot në qeveri”, tha ai.



