“Në lokal duke pirë birra me uniformë”, nis hetimi disiplinor për policët e Rrugores

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimin disiplinor  për dy punonjës të Policisë, inspektorët G. S., dhe K. A., të dy efektivë të Policisë Rrugore, Tiranë.

Hetimi ka nisur pas publikimit në media të një fotoje ku shfaqen dy efektivët me uniformë në lokal.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me një foto të publikuar në portale ditën e sotme, në të cilën shfaqen dy punonjës Policie me uniformë, në një lokal, ju sqarojmë se:

Me publikimin e pamjeve, menjëherë ka nisur hetimi disiplinor, për dy punonjësit e Policisë, inspektor G. S., dhe K. A., të dy efektivë të Policisë Rrugore, Tiranë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm./Albeu.com/


Shtuar 9.05.2023 19:24