Ekstradohet nga Gjermania një 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim drogë dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Drini Valca, banues në Sarandë.
I riu implikohet si i përfshirë në një tentativë të trafikimit të një sasie prej 30 kg droge drejt Greqisë.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës me homologët për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në vijim të bashkëpunimit të ZQK INTERPOL Tirana me zyrat homologe për kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar, është vënë në pranga në Gjermani shtetasi shqiptar D.V, 30 vjeç, banues në Sarandë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
Shtetasi D.V, ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 21.11.2018, Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër ka sekuestruar rreth 30 kg lëndë narkotike canabis sativa, sasi kjo e përgatitur për t’u trafikuar për në Greqi. Në këtë aktivitet kriminal rezulton i implikuar edhe shtetasi D.V, i cili në bashkëpunim me persona të tjera ka kryer veprime aktive për gjetjen e lëndës narkotike dhe përgatitjen për trafikimin drejt Greqisë. Shtetasi D.V është ekstraduar drejt Shqipërisë nga Interpol Tirana dhe i është dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve.