Ardian Nikulaj, 51 vjeç, baba i katër fëmijëve u ekzekutua me 7 plumba pasditen e 19 prillit në Shëngjin.
Ai ishte duke konsumuar kafe në lokalin e tij, kur një person i veshur si postier dhe me kaskë në kokë hyri brenda dhe qëlloi pa mëshirë.
Ditën e sotme, Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka zbardhur ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim 6 personat e përfshirë.
Sipas policisë dyshohet se porositësi është Edmon Haxhia, djali i dajës së Elton Lekstakaj, fisi në konflikt me Nikulajt që prej 1996.
Ardian Nikulaj është viktima e pestë e “luftës” mes fiseve.
Si nisi konflikti mes fiseve?
Konflikti mes dy fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj ka nisur që në vitin 1996, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për një shumë prej 10 mijë lekësh të vjetra.
Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburant dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën aty. Pas furnizimit, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit.
Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre ishte rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të karburantit. Një prej viktimave ishte edhe vëllai i Ardian Nikulajt.
Pak muaj pas kësaj ngjarje u vranë Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, ky i fundit nip i familjes.
Gjakmarrja vijoi edhe në vitin 1999 me vrasjen e Gjovalin Lekstakajt dhe u plagos i afërmi i tij, Pjetër Lekstakaj.
Këto ngjarje vijojnë të jenë të pazbardhura nga drejtësia shqiptare./Albeu.com/