Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i biznesmenit Ardian Nikualj.
Policia ka zbuluar se në vrasjen e tij janë përfshirë 7 persona.
Gjithashtu nga analizimi i provave policia ka arritur të gjejë edhe identitetin e ekzekutorit, i cili për momentin nuk bëhet me dije.
Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e sigurisë në zonën ku është parë autori, i cili qëndroi për disa orë në një pallat në ndërtim për të ruajtur objektivin e tij.
Më herët, u raportuar se shtetasi anglez, i cili u dyshua që prej fillimit të ngjarjes si një nga informatorët, dyshohet të ketë qenë pikërisht personi që ka ndërhyrë në sistemin e kamerave të sigurisë, për të parë lëvizjet e objektivit.
Shtetasi anglez ka qëndruar 5 ditë tek një resort në Shëngjin, shumë pak metra më tutje lokalit të viktimës. Burime bëjnë me dije se shtetasi anglez është munduar të fshehë identitetin e tij përmes kapelës, dhe në momentin që është paraqitur në recepsion është siguruar që imazhi i tij të mos kapet nga kamerat.
Vetëm pak kohë pas ngjarjes, ai është larguar menjëherë nga Shëngjini dhe dyshohet se ka ndërruar 2 taksi nga Shëngjini në Lezhë dhe më pas ka marrë një tjetër taksi për ta transportuar drejt aeroportit të Rinasit. Kjo ka rritur dhe më tej dyshimet e grupit hetimor se mund të kishte lidhje me vrasjen e Ardian Nikulajt.
Autoritetet besojnë se ngjarja ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes, gjithashtu janë shpallur në kërkim ndërkombëtare 5 persona ndërsa pritet që të këtë një deklaratë zyrtare nga drejtoria vendore e Lezhës në lidhje me këtë ngjare.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Adrian Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë nga një person i maskuar në ambientet e biznesit të tij Coral rreth orës 13:30 në 19 prill.
Autori mbante një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha, pasi kreu vrasjen me pistoletë në një disatancë shumë të afërt dhe i vetëm u largua qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima po konsumonte kafen e tij të fundit në lokalin e tij në Shëngjin, kur autori e ka qëlluar shtatë herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.
Konkretisht në vitin 2003 ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh./Albeu.com/