Në burg për tenderin 2.8 milionë euro, Lefter Alla apelon vendimin

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka ankimuar vendimin për masën “arrest me burg” në Apel.

Alla dhe 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të Bashkisë, u arrestuan për abuzimin me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro.

Në pranga ka ra edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkelejda Lleshi.

Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.

Arrestimet janë bërë me urdhër të SPAK, ndërsa me 15 dhe 16 mars janë ushtruar kontrolle nga oficerët e BKH-së.

Objekt i kontrolleve ka qenë edhe shtëpia e vëllait të Lefter Allës, si edhe dhjetëra banesa të tjera. Dy prej të arrestuarve janë lënë në arrest shtëpiak, ndërsa kryebashkiaku Lefter Alla ka rënë në pranga mëngjesin e 16 marsit. Sipas SPAK, bëhet fjalë për një tender rehabilitimi i ujërave të zeza të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës.

Nga hetimet ka dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.

Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.

Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprë penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie.

 

 

 

 

 

 


Shtuar 11.04.2023 11:06