Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka prezantuar sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Aktin Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ministrja Koçiu, tha se amendimet në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, kanë si qëllim kryesor dhe parësor “shmangien e konfliktit të interesit të mjekëve, mes shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë në sistemin publik me atë në sistemin jo publik.
Ndërkohë që u ndalohet drejtuesve të spitaleve publike, të jenë drejtues të klinikave shëndetësore jo publike”.
Ajo nënvizoi se këto ndryshime do të sigurojnë shërbim edhe më cilësor ndaj qytetarëve, por mbi të gjitha dhe një imazh më të pa cënuar për mjekët tanë.
“Këto amendime synojnë vendosjen e rregullave për dypunësimin e mjekëve duke përcaktuar një balancë të domosdoshme dhe të drejtë, mes punës në sistemin publik dhe atë jo publik, pas cënuar asnjë të drejtë që kanë mjekët për dypunësimin e tyre.
Kjo është bërë për të siguruar që prioriteti i tyre të mbetet tek shërbimet publike dhe për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve, pa i dëmtuar pacientët që kanë nevojë për trajtim në strukturat publike. Do të miratohet gjithashtu nëpërmjet mendimeve që kemi parashikuar edhe Kodi i ri i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore me qëllim monitorimin e plotë të rasteve abuzive dhe shkeljeve të disiplinës dhe etikës profesionale.
Duke forcuar masat disiplinore deri edhe duke parashikuar masa si pezullimi dhe heqja e licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut. Nga ana tjetër kemi garantuar respektimin e procedurave të ankimimit administrativ dhe gjyqësor, duke siguruar drejtësi dhe transparencë në shqyrtimin e ankesave. Nëpërmjet këtyre amendimeve synojmë të rrisim transparencën dhe llogaridhënien duke krijuar edhe një regjistër publik elektronik për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucione jopublike”, deklaroi ministrja Koçiu.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë vuri në dukje se amendimet e propozuara, janë në përshtatje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si të vendeve fqinje, ashtu edhe të vendeve më të zhvilluara.
Sipas saj, në ligjet e vendeve tona fqinje të rajonit si Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, apo të Europës, si Franca e Italia, Anglia, Kanadaja dhe SHBA-të, ka kufizime e rregullime të qarta lidhur me dypunësimin e mjekëve.
Ministrja Koçiu shtoi se; “për të pasur një pasqyrë sa më të plotë të funksionimit të deritanishëm të ligjit të Urdhrit të Mjekëve”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mori edhe të dhëna nga “Urdhri i Mjekëve” në lidhje me masat disiplinore dhe me llojin e tyre ku rezultoi se për një periudhë 18 vjeçare numri i procedimeve ka pasur një mesatare shumë të ulët, dhe akoma më e ulët ka qenë dhënia e masave disiplinore”.
Në përgjigje të shqetësimeve lidhur me pavarësinë e “Urdhërit të Mjekëve”, Koçiu theksoi se në sistemin legjislativ shqiptar ekzistojnë modele të ndryshme që rregullojnë funksionimin dhe disiplinimin e profesioneve të caktuara, bazuar në ligjet e shtetit.
“Padyshim që nuk është qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të rrisë numrin e ndëshkimeve në asnjë rast, por që të qartësojë një proces ku nuk mund të mbyllen sytë ndaj shkeljeve, e sidomos ndaj rasteve kur për shkak të gabimeve mjekësore kemi patur dëme në jetën e pacientëve. Ndaj miratimi i Kodit të ri Etik synon të sjellë në vëmendje se, asnjë nuk është mbi ligjin apo mbi rregullat etike apo profesionale që rregullojnë marrëdhëniet e punës.
Dhe përgjegjëse për zbatimin e ligjit e mos lejimin e abuzimit me të, nga askush, është padiskutim qeveria. Ndaj, dëshiroj të theksoj se, hartimi i këtij Kodi nga “Urdhëri i Mjekëve” miratimi i tij nga Ministria nuk është aspak cënim i pavarësisë së “Urdhrit të Mjekëve”, apo kthimi i tij në shtojcë të Ministrisë së Shëndetësisë, por një kthim i vëmendjes se bashkarisht mund ta përmirësojmë punën tonë në shërbim të pacientit”, deklaroi ajo.
Gjithashtu, për sa i përket pretendimeve lidhur me faktin se përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisioneve të disiplinës dhe të apelimit rregullohen me vendime të Këshillit të Ministrave, ministrja theksoi se ky është një model i njohur për legjislacionin shqiptar dhe se në thelb nuk cenon ndonjë të drejtë të funksionimit të “Urdhrit të Mjekëve”.
“Në rastin e mjekëve, vlerësojmë se ligji që propozojmë e ka strukturuar situatën në një mënyre të tillë që garantojë edhe më tepër mirëfunksionimin e strukturave disiplinore, që do të shërbejnë për një gjykim të drejtë të të gjithë subjekteve që do të jenë pjesë të hetimit”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.