“Ndryshimet kushtetuese janë kyçe për hyrje në BE”, Pendarovski: Do t’i përfundojmë negociatat në kohë rekorde

Gjermania mbetet mbështetës i fuqishëm i Maqedonisë në procesin e negociatave aderuese, deklaroi Presidenti gjerman Shtajnmajer në konferencën e përbashkët për media me Presidentin e vendit, Stevo Pendarovski. Ai tha se dëshiron që procesi i anëtarësimit të ndodhë shpejt dhe të mos ketë pengesa shtesë. Megjithatë, rikujtoi se ndryshimet kushtetuese janë kyçe për anëtarësimin në BE, por nuk dha përgjigje konkrete nëse për këtë çështje do të bisedojë edhe me kreun dhe udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së, parti kjo e cila u deklarua kundër ndryshimit të Kushtetutës.

“Vendi juaj ndodhet para një vendimi të rëndësishëm – nëse përmes ndryshimit rrjedhës të Kushtetutës, do ta hapë rrugën drejt çeljes së kapitujve në fusha të caktuara siç është politika ekonomike apo sundimi i së drejtës. Gjatë vizitës sime këtu nuk do të flas vetëm në Kuvend, por do të takohem edhe me deputetë të partive të ndryshme politike dhe do të bisedoj me ta.”- deklaroi Frank Valter Shtajnmajer, President i Gjermanisë.

Lidhur me atë se si e sheh mundësinë e anëtarësimit të Maqedonisë nga aspekti i kornizës kohore, Pendarovski tha se nuk dëshiron të japë parashikime për këtë çështje. Theksoi se vendi ynë është duke u përgatitur për negociata për 17 vjet me radhë dhe se të njëjtat do t’i përfundojë në kohë rekorde. Sa i takon kundërshtimit të opozitës, i pari i vendit me qëndrim se nëse janë për BE, atëherë duhet t’i votojnë ndryshimet kushtetuese.

“Ekipet për secilin kapitull janë formuar para një dekade e gjysmë, kështu që jam i bindur se nëse procesi i negociatave me BE nuk bazohet në histori ose në pjesën dominuese në histori, nëse bazohet në kriteret dhe vlera reale evropiane, ne do t’i përfundojmë në kohë rekorde ato negociata. Nga ana e opozitës, e cila ka qëndrimin që e dimë të gjithë se janë kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kundër futjes së pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës, vetëm mund të flasim dhe të bindemi mes vete.”- pohoi Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Kjo është vizita e parë e Presidentit gjerman Shtajnmajer, i cili mbajti fjalim edhe në Kuvend. Lutja ime për ju deputetë, por edhe për të gjithë qytetarët është që të vazhdoni të hapëroni në rrugën e integrimeve dhe këtë ta bëni me vendosmëri, mos devijoni nga rruga në metrat e fundit, tha ai para deputetëve./tv21


Shtuar 29.11.2022 19:37