Ndryshime në Qeveri si përgatitje për zgjedhjet lokale?

A është Fatmir Dehari, kryetari aktual i Kërçovës, emri që BDI po e mendon ta bëjë ministër, në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, që burimet e TV21 paralajmërojnë se do të ndodhë në fund të majit? Në rast se dy partnerët qeveritarë, LSDM e BDI bien dakord që me Ministrinë e Punëve të Brendshme duhet të drejtojnë shqiptarët, emri që përflitet për këtë post është Fatmir Dehari. E në rast se ndodh kështu, BDI do të duhet të heqë dorë nga një ministri me peshë, siç është ajo për Punë të Jashtme.

I pyetur nga TV21 për këtë, Dehari thotë se për momentin për obligim ka të kryejë detyrat për të cilat ka marrë besimin si kryetar i Kërçovës. “E gjithë pjesa tjetër, unë vlerësoj çdonjërin që mund të çmojë punën time, që vlerëson punën tonë të Komunës së Kërçovës, por mbetet në korniza të spekulimeve. Unë jam i zgjedhur nga qytetarët, me aq përkushtim, me aq mund, duke ditur njëkohësisht edhe diasporën shqiptare për të realizuar punët që mbulon pushteti lokal”, deklaroi Dehari.

Nëse kthehemi prapa në kohë, Bashkimi Demokratik për Integrim është parti që para zgjedhjeve lokale di të bëjë ndryshime kadrovike, duke i lëvizur nga ekzekutivi në komuna. Në vitin 2013 për shembull, Nevzat Bejta nga Ministër i Pushtetit Lokal kandidoi për kryetar të Gostivarit, ndërsa në vend të tij në Ministri shkoi Tahir Hani. Nga ana tjetër, po të njëjtin vit, Teuta Arifi, nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane kalon në Komunën e Tetovës. Posti i saj në Qeveri plotësohet nga Fatmir Besimi, i cili ishte Ministër i Mbrojtjes, dikaster në të cilin vjen Talat Xhaferi.

Lëvizje BDI-së ka bërë edhe para zgjedhjeve lokale të 2017-së. Visar Ganiu, nga zëvendësministër i arsimit kalon në Komunën e Çairit, ndërsa Ramiz Merko, nga Ministër pa portofol për Investime të Huaja bëhet kryetar i Strugës. Kësaj here, emër potencial për lokalet e ardhshme për Kërçovën mendohej ministri aktual i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, por javën e kaluar ai mohoi kandidimin.

Si nga LSDM po ashtu edhe nga BDI deri më tani kanë pohuar se nuk mendohet për ndonjë rikonstruim të Qeverisë, por burime partiake të TV21 tregojnë se si socialdemokratët po ashtu edhe integristët kanë një plan të tillë, LSDM që të reflektojë udhëheqësinë e re që pritet të emërohet në kongresin e 16 majit, ndërsa BDI me qëllim përgatitjes së terrenit për zgjedhje lokale. Jo zyrtarisht Televizioni 21 mëson se 2 ministra aktual mund te propozohen për ambasadorë. Për momentin, siç tregojnë burimet, zëvendëskryeministri i partë Artan Grubi, duket të jetë më i sigurt dhe i palëvizshëm në postin e tij./TV21


Shtuar 30.04.2021 17:08